UASHINGTON – Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, u takua të hënën me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, ndërsa filloi një seri takimesh të nivelit të lartë në Uashington, përfshirë edhe një takim me Zonjën e Parë Jill Biden.
Flamujt ukrainas blu dhe të verdhë valëviteshin përkrah flamujve amerikanë në kryeqytet ndërsa zonja Zelenska i drejtohej takimit të saj të parë në Shtetet e Bashkuara, me Sekretarin Blinken.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se sekretari i shtetit e siguroi zonjën Zelenska për angazhimin amerikan për Ukrainën. Sekretari Blinken gjithashtu komentoi për punën e saj me civilët që përballen me trauma dhe dëmtime të tjera nga lufta.
Departamenti i Shtetit fillimisht njoftoi dhe më vonë anulloi një dalje të tyre të përbashkët për fotoreporterët. Ruajtja e toneve të ulëta sugjeron se zonja Zelenska nuk po udhëton si përfaqësuese zyrtare e qeverisë së bashkëshortit të saj, Presidentit Volodymyr Zelenskyy.
Zonja Zelenska studioi arkitekturë në universitet, por punoi si skenariste komedish, përfshirë edhe për komeditë e zotit Zelenskyy, i cili luante në një serial të njohur televiziv përpara se të fitonte presidencën në vitin 2019.
Gjatë luftës, Presidenti Zelenskyy fitoi admirimin e ukrainasve dhe mbështetësve të Ukrainës jashtë vendit, nëpërmjet qëndrimit të tij në kryeqytetin Kiev, pasi Presidenti rus Vladimir Putin filloi sulmin e tij ndaj Ukrainës në muajin shkurt.
Së bashku me dy fëmijët, zonja Zelenska nuk u shfaq publikisht gjatë muajve të parë pas fillimit të sulmit. Në një intervistë me revistën Time këtë muaj, ajo tha se lufta e detyroi të strehohej larg Presidentit Zelenskyy për arsye sigurie që në orët e para të bombardimeve të forcave ruse. Fëmijët e tyre, ashtu si ukrainasit e tjerë, e kanë parë babanë e tyre gjatë fjalimeve drejtuar vendit të transmetuara gjatë natës.
Zonja Zelenska doli nga izolimi më 8 maj për të përshëndetur Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, e cila po bënte një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainën perëndimore.
Dy zonjat e para u takuan më pas në një shkollë, ku u përqafuan, biseduan dhe iu bashkuan nxënësve të shkollës që po përgatisnin dhurata për Ditën e Nënës.
Që nga momenti i këtij takimi, zonja Zelenska ka marrë një profil më të lartë publik. Kjo përfshin dhënien e më shumë intervistave në gazeta për betejat e Ukrainës dhe për projektet e saj gjatë konfliktit. Ajo ka mbështetur ofrimin e terapisë për miliona ukrainas që tani përballen me hidhërimin dhe traumën.
Ajo do të takohet me Zonjën e Parë Jill Biden të martën dhe do të flasë të mërkurën përpara ligjvënësve në auditorin e Kongresit në Kapitol. Burri i saj mori duartrokitje nga anëtarët e kongresit gjatë një fjalimi videofonik të drejtuar ligjvënësve në të njëjtin auditor më herët gjatë luftës.
Zyrtarët ukrainas nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të hënën në lidhje me orarin e vizitës së saj.