Koncensioni i sterilizimit, ish ministri i Shëndetësisë Beqaj në SPAK, mbi 8 orë në pyetje

Ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke dalë nga Prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK)

Në Shqipëri, ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili mbajti këtë detyrë për gati katër vjet në qeverinë e parë të kryeministrit Edi Rama (2013-2017), u mor sot për mbi 8 orë në pyetje, në Prokurorinë e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për koncensionin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikale. Për këtë hetim, SPAK-u ka marrë më herët në pyetje dhe ish zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Pas daljes nga Prokuroria, ish ministri Beqaj deklaroi shkurtimisht se ishte thirrur “në cilësinë e personit që kam dijeni për rrethanat e çështjes që po ndjek prokuroria për sterilizimin. Kam dhënë dëshminë time para prokurorëve dhe kam dhënë përgjigjet e mia para 2 prokurorëve dhe oficerëve të BKH”, ndërsa në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve shtoi se “nuk i druhem përgjegjësisë penale."

Koncensioni i sterilizimit, është një prej 4 kontratave të llojit Partneritet Publik Privat (PPP) të nënshkruara nga qeveria socialiste, e të shoqëruara nga polemika dhe dritëhije të shumta. Dyshimet e para u ngritën që pas shpalljes fitues, në dhjetor të vitit 2015, të konsorciumit të kompanive “Investal LLC”, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. “Investal LLC” e cila zotëron 40 përqind të aksioneve të konsorciumit, ishte themeluar në Prishtinë, nga Ilir Rrapaj, i cili prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi. Një investigim i atëhershëm i BIRN-it, zbuloi se pas zgjedhjeve të vitit 2013 që sollën në pushtet socialistët, Rrapaj kishte vendosur kontakte të shpeshta me ministrin e kohës Beqaj. Konkurrentë të tjerë në garë kundërshtuan rezultatin, duke u shprehur se oferta e konsorciumit fitues kishte qenë përtej fondit limit. Por këto pretendime u cilësuan si “shpifje” nga ministria.

Por ky nuk do të ishte aspekti i vetëm, që nxiti dyshime mbi kontratën koncensionare. Me kalimin e kohës do të dilnin në pah dhe elementë të tjerë problematikë. Vlera e kontratës prej 9.6 miliardë lekësh (afro 100 milionë dollarë) ishte përllogaritur mbi një numër të caktuar ndërhyrjesh kirurgjikale, të cilat siç koha dëshmoi, rezultuan në realitet, ndjeshëm më të shumtë, duke sjellë kosto gati 30 përqind më të larta për shtetin.

Nga ana tjetër konsorciumit fitues ju dorëzua dhe një qendër moderne sterilizimi e ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” falë një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë posaçërisht, por që në mënyrë të pashpjegueshme nuk ishte vënë asnjëherë në funksion. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit e ka konsideruar shkelje faktin që qendra iu “dhurua” koncensionarit, për më tepër pa asnjë parashikim në kontratë.

Kontrata e sterilizimit u hetua në vitin 2016 nga Prokuroria e Tiranës, e cila mbylli dosjen me pretendimin se “nuk ka elementë të veprës penale”. Ndërsa në vitin 2019 Nisma “Thurrje” paraqiti denonimin në SPAK, kur Prokuroria e Posaçme sapo ishte ngritur.