Presidenti Joe Biden u kthye në Uashington pas takimit të shtunën me udhëheqësit arabë në Xhedah të Arabisë Saudite, ku ai shpalosi vizionin e tij për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme për të kundërshtuar Iranin dhe ripohoi nevojën për epërsi në konkurrencën strategjike kundër Kinës dhe Rusisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, udhëtoi me presidentin, dhe na përcolli këtë material nga Xhedah.
Your browser doesn’t support HTML5
Joe Biden duke biseduar së bashku me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, në vendin e të cilit, gjendja e të drejtave të njeriut është aq e keqe, saqë presidenti amerikan e quajti dikur një vend të papërgjegjshëm.
"Me këtë veprim presidenti Biden po sugjeron se të drejtat e njeriut janë pa vlerë dhe me to mund të bësh pazar për një sërë përfitimesh të tjera", thotë Agnès Callamard me organizatën Amnesty International.
A ia vlejti riangazhimi përballë kritikave për vizitën në Arabinë Saudite dhe përshëndetja me përplasje grushat me princin e kurorës?
Presidenti Biden duket që mendon kështu, duke pohuar se largimi i Uashingtonit nga Lindja e Mesme, ishte një gabim.
“Ne nuk do të largohemi dhe nuk do të lëmë hapësirë që ta mbushë Kina, Rusia apo Irani. Ne do të kërkojmë të përparojmë që nga ky moment me udhëheqje aktive dhe parimore”, tha presidenti.
Në një takim të nivelit të lartë në Xhedah, presidenti Biden dhe udhëheqësit arabë diskutuan sigurinë energjitike, por nuk njoftuan një rritje të prodhimit të naftës për të kompensuar rritjen e çmimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
"Mbretëria do të luajë rolin e saj në këtë fushë, pasi ka paralajmëruar një rritje të kapacitetit të saj prodhues me 13 milionë fuçi në ditë. Mbretëria nuk do të ketë më asnjë kapacitet shtesë për të rritur prodhimin", tha Mohammed bin Salman, princi saudit i kurorës.
Presidenti Biden parashtroi parimet e angazhimit amerikan në rajon – forcimi i partneriteteve; mbështetja e aftësive mbrojtëse; frenimi i fuqive që kërkojnë të dominojnë nëpërmjet veprimeve ushtarake ose që rrezikojnë lirinë e lundrimit.
Presidenti Biden vlerësoi armëpushimin në Jemen midis koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe grupit Huthi të mbështetur nga Teherani, që premton uljen e tensioneve dhe dhënien fund të konflikteve aty ku është e mundur.
Ai tha në sallën e mbushur me burra se e ardhmja u përket vendeve ku gratë mund të ushtrojnë të drejta të barabarta…
“...dhe kontribuojnë në ndërtimin e ekonomive më të forta, shoqërive elastike dhe ushtrive më moderne dhe më të afta.”
Shtetet e Bashkuara njoftuan 1 miliard dollarë ndihmë për sigurinë ushqimore për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Ndërsa Uashingtoni nis planin e tij global të infrastrukturës për t’ju kundërvënë nismës së Kinës "Një brez, një rrugë", presidenti Biden mirëpriti gjithashtu premtimin prej 3 miliardë dollarësh të udhëheqësve të Gjirit për programin.