Gjatë takimit të përbashkët me udhëheqësit e vendeve të Gjirit Persik, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden theksoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të jenë një partner aktiv i angazhuar në Lindjen e Mesme. Ai paraqiti parimet kryesore të strategjisë amerikane për Lindjen e Mesme, të përqëndruar tek bashkëpunimi rajonal përballë rreziqeve rajonale dhe aktiviteteve të Kinës, Rusisë apo Iranit.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti amerikan Joe Biden tha se është i vetëdijshëm për sfidat në Lindjen e Mesme, por se ai mendon se ka disa fusha ku Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë për të sjellë rezultate pozitive.
Ai i bëri komentet në takimin në Arabinë Saudite të udhëheqësve të Gjirit Persik, ku morën pjesë edhe udhëheqësit e Irakut, Egjiptit dhe Jordanisë.
“Në mbarë botën u panë përpjekje për të dëmtuar rendin botëror të bazuar në rregulla. Veprimet gjithnjë e më shtrënguese të Kinës në Paqësor dhe më gjerë, lufta brutale dhe e paprovokuar e Rusisë ndaj vendit fqinj Ukrainës, veprimet destabilizuese të Iranit këtu në Lindjen e Mesme kanë sjellë ndryshime thelbësore”, tha Presidenti Biden.
Ai theksoi megjithatë se kjo është hera e parë që forcat amerikane nuk janë të angazhuara në luftime në këtë rajon.
“Për herë të parë që nga 11 shtatori, presidenti amerikan po viziton rajonin ndërsa forcat amerikane nuk janë të angazhuara në misione luftarake në rajon... Më lejoni ta deklaroj qartazi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i angazhuar në mënyrë aktive në Lindjen e Mesme”, tha Presidenti Biden.
Duke vënë në dukje partneritetin në luftën kundër terrorizmit, Presidenti Biden theksoi se rreziqet do të përballohen së bashku nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen duke krijuar kështu një vakum që do të plotësohej nga Kina, Rusia apo Irani.
Ndër takimet dypalëshe që pritej me interes ishte ai me Princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman, për shkak të shqetësimeve për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe në veçanti për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.
Momenti i takimit me një cekje të grushtave mes Presidentit Biden dhe princit saudit ngjalli komente dhe kritika, si nga Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, kryetar i komisionit të zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, nga e fejuara e të ndjerit Khashoggi, apo drejtori i gazetës “The Washington Post” ku kontribuonte i ndjeri.
I pyetur nga gazetarët, Presidenti Biden qartësoi se gjatë takimit ia kishte përsëritur princit saudit se e konsideron përgjegjës për vrasjen e gazetarit dhe se e konsideron shkelje të drejtave të njeriut mënyrën se si trajtohen kritikët e administratës saudite, brenda vendit apo jashtë tij.