Presidenti i Sri Lankës u largua nga vendi të mërkurën herët në mëngjes, vetëm disa orë para se të premtonte se do të jepte dorëheqjen, i gjendur nën trysninë e protestuesve të zemëruar nga një krizë shkatërruese ekonomike që ka përfshirë vendin. Por turmat e njerëzve e drejtuan menjëherë zemërimin ndaj kryeministrit, duke sulmuar zyrën dhe duke kërkuar largimin e tij gjithashtu.
Presidenti Gotabaya Rajapaksa dhe bashkëshortja e tij u nisën me avionin presidencial drejt Maldive. Në mungesë të tij ai vendosi kryeministrin në pozitën e presidentit në detyrë. Kjo duket se i përkeqsoi edhe më shumë zhvillimet në vendin e kapluar prej muajsh nga një krizë ekonomike që ka shkaktuar mungesa të mëdha në ushqime e karburant e tashmë është përfshirë nga kaosi politik.
Mijëra protestues, të cilët e kishin parashikuar që Kryeministri Ranil Wickremesinghe do të emërohej president në detyrë, u mblodhën jashtë zyrës së tij. Disa u ngjitën nëpër mure, ndërsa turma bërtiste në mbështetje të tyre.
Pamje filmike tregojnë me dhjetra njerëz tek futen brenda zyrës e të tjerë në një tarracë duke valëvitur flamurin e Sri Lankës. Ky është zhvillimi më i fundit në një seri të tillash ku protestuesit kanë pushtuar ndërtesat qeveritare duke kërkuar udhëheqës të rinj për vendin.
Kryeministri Wickremesinghe, i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, u shfaq në televizion për të përsëritur se ai nuk do të largohej nga detyra derisa të zgjidhej një qeveri e re, një gjë që nuk është e qartë se kur pritet të ndodhë.
Edhe pse u largua, Presidenti Rajapaksa nuk e ka dhënë ende dorëheqjen, por kryetari i parlamentit tha se presidenti e kishte siguruar atë se do ta bënte më vonë gjatë ditës.