Çfarë pritet të ndodhë tani që Gjykata e Lartë e hodhi poshtë të drejtën kushtetuese për abort? Vendimi rrëzoi “Roe kundër Wade”, ose vendimin e gjykatës së lartë të vitit 1973, që u kishte dhënë grave të drejtën për abort në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Tani, janë shtetet individuale ato që kanë të drejtën për të vendosur për këtë.
Çfarë nënkupton vendimi për shtetet individuale?
Edhe përpara vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, ligjet e shteteve amerikane për abortin ndryshonin shumë. Shtetet e kontrolluara nga republikanët kishin ligje më kufizuese sesa ato të kontrolluara nga demokratët. Pas vendimit të gjykatës së lartë, janë shtetet ato që do të jenë në gjendje të vendosin nëse aborti është i ligjshëm apo jo.
Në cilat shtete pritet të kufizohet aborti?
Trembëdhjetë shtete kishin miratuar që më parë ligje për kufizimin e abortit, që do të hynin në fuqi, nëse Gjykata e Lartë e rrëzonte të drejtën për abort si një e drejtë kushtetuese. Disa nga këto ligje kanë hyrë tashmë në fuqi, ndërsa të tjerat do të fillojnë zbatimin 30 ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Ku tjetër do të kufizohet aborti?
Disa shtete amerikane kanë patur ligje kufizuese që para vendimit të vitit 1973, që nuk u shfuqizuan ndonjëherë, ndonëse për gati 50 vjet aborti njihej si e drejtë kushtetuese. Ndërsa disa shtete të tjera nuk e sigurojnë, ose mbrojnë të drejtën për abort në mënyrë të qartë. Njëzet e gjashtë shtete ka të ngjarë të ndalojnë, ose zbatojnë kufizime të ashpra ndaj abortit, sipas Institutit Guttmacher, një grup që punon në mbështetje të së drejtës për abort.
Ku mbrohet aborti?
Gjashtëmbëdhjetë shtete dhe kryeqyteti amerikan, Uashington, e mbrojnë të drejtën për abort, sipas Institutit Guttmacher. Mbrojtjet mbështeten tek ligjet e shtetit, ndryshimet kushtetuese të shtetit, ose vendimet e Gjykatës së Lartë të shtetit.
A mund të udhëtojnë gratë në shtete të tjera për të kryer abort?
Nuk ka kufizime për gratë që udhëtojnë nga një shtet tek tjetri për të kryer abort. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland tha se Departamenti i Drejtësisë do t’i mbrojë gratë që kërkojnë aborte në shtetet ku është e ligjshme. Aktivistët e të drejtave të abortit thonë se mundësia për të abortuar do të jetë më e vështirë për gratë më të varfra që nuk kanë mjete për të udhëtuar, ose janë me kontrata të tilla pune që do iu vështirësonte udhëtimet jashtë shtetit të tyre.
A do të trajtohet aborti si krim në disa shtete?
Asnjë nga shtetet që e kanë kufizuar mundësinë e abortit nuk e kanë bërë krim për një grua që të kërkojë abort. Përkundrazi, ata kanë kërcënuar me veprime penale kundër klinikave të kujdesit shëndetësor dhe heqjen e licencave për mjekët.
A do të përfshihet Kongresi?
Kongresi, teorikisht, mund të miratojë një ligj që e bënë abortin të ligjshëm në të 50 shtetet. Megjithatë, sipas rregullave aktuale të funksionimit, do të nevojiteshin 60 vota në Senat për të miratuar një ligj të tillë. Senati, në mandatin e tanishëm, është i ndarë në 50 vota republikane dhe 50 demokrate, duke e bërë të pamundur miratimin e një ligji të tillë. Edhe nëse Kongresi do të miratonte një masë të tillë, nuk ka asnjë garanci se ajo nuk do të rrëzohej nga Gjykata e Lartë.
Si ka reaguar administrata e presidentit Biden?
Presidenti Biden e ka dënuar vendimin e Gjykatës së Lartë, dhe e ka pranuar se ai nuk ka fuqi ekzekutive për të lejuar vazhdimin e të drejtës së abortit. Zyrtarë të lartë demokratë i i kanë bërë thirrje presidentit që të ndërmarrë disa veprime në nivelin federal. Ata kanë kërkuar, ndër të tjera, për të lejuar procedurën e abortit në territorin që i përket qeverisë federale, në shtetet që e kufizojnë të drejtën e abortit, lehtësimin e qasjes ndaj ilaçeve të abortit dhe ndihmë federale për gratë që kërkojnë të abortojnë në shtete të tjera.
Si do të ndikojë vendimi në precedentë të tjerë ligjorë?
Nuk është e qartë se çfarë efekti do të ketë vendimi i Gjykatës së Lartë në precedentë të tjerë gjyqësorë. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas tha se gjykata duhet të "rishqyrtojë" vendimet për rastet e tjera të së kaluarës, duke përfshirë ato që prekin martesën e personave të gjinisë së njëjtë dhe çasjen në kontraceptiv. Nuk është e qartë nëse gjyqtarët e tjerë pajtohen për të rishikuar raste të tilla.