Bosnja shënon përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë 

BOSNIA-WARCRIMES/MLADIC-REACTIONS

Mijëra njerëz u mblodhën në Srebrenicë për të shënuar 27 vjetorin e gjenocidit të vetëm të njohur në Evropë, që nga Holokausti, si dhe për të marrë pjesë në funeralin e 50 viktimave të identifikuara së fundmi. Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, në muajt e fundit të luftës së Bosnjës, në të cilën humbën jetën rreth 100 mijë njerëz.

Your browser doesn’t support HTML5

Bosnja shënon përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Mijëra njerëz u mblodhën në Bosnjë për të përkujtuar masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, gjenocidin e vetëm të njohur ndërkombëtarisht në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe për të varrosur 50 viktima të tjera të gjetura së fundmi në varreza masive dhe të identifikuara përmes analizës së ADN-së.

Më shumë se 8,000 burra dhe djem nga grupi etnik boshnjak, i cili përbëhet kryesisht nga myslimanë, u vranë në 10 ditë masakër pasi qyteti u pushtua nga forcat serbe, në muajt e fundit të luftës së Bosnjës.

Deri më tani, eshtrat e më shumë se 6600 njerëzve janë gjetur dhe varrosur në varreza.

“Unë vij gjithmonë këtu. Ne të gjithë vijmë këtu në datën 11 korrik, nuk mund ta harrojmë këtë datë”, thotë Hiba Ajdasi, bashkëshorti dhe babai i së cilës u vranë gjatë masakrës.

“Është më e lehtë, kur e di se ku janë varret e tyre, edhe nëse janë vetëm disa kocka. Por kur mendon për vuajtjet e tyre, kur mendon për atë që kanë kaluar viktimat, nuk mundem ta shpjegoj se si ndihem”, thotë Mana Ademovic, familjare e viktimave.

“Çdo vit që kalon, bëhet edhe më i vështirë. Koha bën të vetën, nuk është një ditë e lehtë”, thotë Emir Suljagiç nga Qendra Përkujtimore e Potoçarit, të cilit forcat serbe i kanë vrarë babain dhe vëllain.

Në dy vitet e mëparshme, për shkak të pandemisë COVID-19, vetëm një numër relativisht i vogël i familjarëve u lejuan të merrnin pjesë në ceremoninë përkujtimore.

Shefi ushtarak serb i Bosnjës, Gjeneral Ratko Mlladiç dhe ndihmësi i tij politik, Radovan Karaxhiç, po vuajnë tani dënimin e përjetshëm për krime lufte, përfshirë gjenocidin.

Megjithëse masakra e Srebrenicës u quajt gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendase, zyrtarët serbë dhe serbët e Bosnjës ende i minimizojnë, ose i mohojnë krimet