Problemet ekonomike i detyrojnë mjekët turq të largohen nga vendi

Qindra mjekë turq po largohen nga vendi me shpresën për të gjetur kushte më të mira pune e cilësi jetese, ndërsa Turqia po përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe kur norma vjetore e inflacionit ka arritur në rreth 80%, niveli më i lartë i 25 viteve të fundit. Mjekët thonë se janë të lodhur me pagat minimale dhe kushtet e vështira të punës, ku nuk mungojnë edhe rastet e dhunës ndaj tyre.

Your browser doesn’t support HTML5

Problemet ekonomike i detyrojnë mjekët turq të largohen nga vendi

Në vitin 2021, më shumë se 1000 mjekë kërkuar nga Shoqata e Mjekëve Turq t’i pajisë me dokumenta që tregojnë se ata janë të liçensuar e paguajnë rregullisht detyrimet ndaj shtetit, në mënyrë që të ishin në gjendje të ushtronin profesionin e tyre jashtë Turqisë.

Doktor Tahsin Cinar, i cili punon si anestezist në një spital universitar, është vetëm një nga mijëra të mërzitur me kushtet me të cilat ballafaqohet një profesionist i kësaj fushe në Turqi.

Ai thotë se të jesh mjek, është bërë një nga punët më të vështira dhe një nga arsyet janë pagat e ulta. Zoti Cinar thotë se disa nga kolegët e tij po ndjekin kurse të gjuhës gjermane për të punuar në këtë vend. Ai shton se në Turqi po ndodhte fenomeni i ashtuquajtur “ikje e trurit”, largimi në masë i profesionistëve.

Të jesh mjek është padyshim një nga profesionet më të vështira në Turqi. Mjekët po fitojnë nën kufirin e varfërisë dhe kjo nuk mjafton as për të mbuluar qiranë e një shtëpie në Stamboll. Ne po përpiqemi të mbijetojmë duke marrë më shumë turne nate", thotë ai.

Në mars, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se mjekët që donin të shkonin jashtë vendit, mund të largoheshin.

Më vonë, ai i zbuti tonet dhe tha se besonte se mjekët që ishin larguar do të ktheheshin në shtëpi sapo Turqia të premtonte një "të ardhme të ndritur".

Dhuna ndaj profesionistëve të kujdesit shëndetësor ka qenë gjithashtu në rritje në Turqi, pikërisht në kohën kur punonjësit e mjekësisë po përballen me një lodhje të madhe, pas dy vitesh nën pandeminë e koronavirusit.

Shumë prej tyre presin të miratohen ligje që prashikojnë ndëshkime më të ashpra për ata që sulmojnë mjekët në detyrë, gjë që zoti Erdogan premtoi se do ta bëjë, gjatë një fjalimi në muajin mars.

Doktor Burak Acikgoz, një mjek turk që ka emigruar në Suedi nuk ishte nga ata që i vari shpresat tek qeveria. Ai u largua nga vendi tre vite më parë, menjëherë pasi u bë baba.

Kur bëhesh me fëmijë kupton se ka gjëra që i takojnë së ardhmes për të cilat duhet të shqetësohesh, ndaj gjëja më e përshtatshme ishte të largohesha nga vendi. Në në atë kohë ishte më të lehtë të shkoja në Suedi dhe kushtet që ofron ky vend ishin më të mirat, nga pikëpamja materiale dhe morale”.

Dr. Onur Naci Karahanci i Shoqatës së Mjekëve Turq thotë se vendet evropiane po i joshin mjekët me një cilësi më të mirë jete, duke afruar në këtë mënyrë nga pjesë të tjera të botës, profesionistët më të mirë të fushës, e që u kushtojnë atyre fare pak.

"Ka një migrim më formal në Evropë dhe Evropa po përpiqet të zgjedhë më të mirën dhe më të lirën. Nëse duam të shohim arsyet që qëndrojnë pas këtij migrimi edhe pse mund ta përkufizojmë si diçka që lidhet me lirinë e lëvizjes, ajo ka të bëjë edhe me cilësinë e jetës mbi të gjitha".

Ekonomisti dhe studiuesi Enes Ozkan i Universitetit të Stambollit thotë se inflacioni në rritje në Turqi është "i lidhur drejtpërdrejt me ikjen e trurit".

Ne nuk po vërejmë një shkallë të lartë të ikjes së trurit nga vendet e tjera për shkak të inflacionit që po përjetohet në botë për momentin. Megjithatë, inflacioni në Turqi është shumë më i lartë se në çdo vend tjetër të botës dhe ajo çka po e përkeqson problemin në Turqi në fakt, janë politikat e këqija të qeverisë”.

Inflacioni vjetor në Turqi arriti në rreth 80% në muajin qershor, norma më e lartë që nga viti 1998, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të hënën nga Instituti turk i Statistikave (TurkStat).

Publikimi i shifrave vjen ndërsa vendi po përballet me një rritje të thellë të kostos së jetesës. Çmimet e konsumit janë rritur me 4.95% në baza mujore. Ndryshe nga ekspertët zoti Erdogan këmbëngul se kostoja e lartë e huamarrjes po shkakton rritjen e inflacionit, duke i mëshuar uljes së normave të interesit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe eksportet.