Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të kufizojë deri në fund të shtatorit përdorimin aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi dhe të vendosë masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.
Vendimi nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, zyrtarët e të cilit thanë se kjo është goditje ndaj serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës tha se miratoi një vendim që automjeteve të cilat kanë targa me shkurtesat e qyteteve të Kosovës e që janë lëshuar nga autoritetet serbe t’u mundësohet regjistrimi me targa të Kosovës, RKS.
“Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 30.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Gjithashtu, thuhet në njoftim, “automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022”.
Që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar palët zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditësh trazirash në veriun e Kosovës ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.
Ndonëse ishte vendosur një afat gjashtë muajsh për një marrëveshje perfundimtare rreth kësaj çështjeje, më 13 maj palët dështuan të pajtohen rreth saj.
Lexoni edhe këtë Kosova dhe Serbia – pa marrëveshje për targat e makinave, përparim në fusha tjeraTë mërkurën qeveria e Kosovës vendosi po ashtu që “çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”.
Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që nga viti 2008 kur ajo shpalli pavarësinë.
Beogradi reagoi me zemërim. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se Prishtina me këto vendime “synon të dëbojë serbët nga Kosova”, ndërsa akuzoi pesë vendet kryesore perëndimore (Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën e Italinë) për mbështetje të vendimeve të Prishtinës. Në veçanti ai nënvizoi rolin e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Presidenti serb i cili në mbrëmje u takua me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, tha se “dialogu është rrëfim bosh”.
"Çfarë bisedimesh pas vendimeve të tilla? Nuk ka gjë prej tyre”, tha ai, duke akuzuar autoritete në Prishtinë se “po planifikojnë ndërhyrje në veriun e Kosovës më 1 tetor”.
Më herët gjatë ditës në Prishtinë, i dërguari evropian tha se beson të organizojë një takim të nivelit të lartë ndërmjet palëve në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.