Venediktova: Sulmi në qytetin Kremençuk, krim kundër njerëzimit

UKRAINE-CRISIS/KREMENCHUK

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha sot se sulmi i djeshëm i Rusisë ndaj një qendre tregëtare, gjatë të cilit u vranë 18 vetë, mund të përbëjë krim kundër njerëzimit.

Prokurorja Venediktova, e cila kryeson hetimet për krime lufte, shkoi sot në kompleksin tregëtar në qytetin e Kremençukut, i cili u godit dje nga një raketë ruse.

Në kohën e goditjes, brenda qendrës kishte rreth 1 mijë vetë. Sipas shërbimit të urgjencës rreth 60 të tjerë janë plagosur.

Presidenti Volodymyr Zelensky e akuzoi Rusinë për sulm të qëllimshëm kundër civilëve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Bliken përmes një postimi në Twitter tha dje pas sulmit se, ky është akti i fundit i një sërë krimesh të kryera nga Rusia.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën dhe do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për krimet” theksoi zoti Blinken.

Presidenti francez Emanuel Macron tha sot në përfundim të takimit të Grupit të Shtatëshes se Rusia “nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë luftë”.