Udhëheqësit e demokracive më të pasura në botë kanë dalë me një qëndrim të bashkuar të martën për të mbështetur Ukrainën "për aq kohë sa është e nevojshme", ndërsa vazhdon agresioni rus. Ndërsa i dhanë fund takimit të G-7, udhëheqësit thanë se po shqyrtojnë hapa të mundshëm për të kufizuar të ardhurat e Kremlinit nga shitja e naftës, me të cilat financon luftën.
Your browser doesn’t support HTML5
Deklarata përfundimtare nga takimi i G-7 parashtron nevojën për të ndërmarrë masa që ndalojnë importin e naftës ruse përtej një çmimi tavan. Udhëheqësit ranë dakord të ndalojnë importin e arit rus dhe të shtojnë ndihmat për vendet e prekura nga mungesa e ushqimit, si rezultat i bllokadës ruse ndaj dërgesave të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.
Udhëheqësit e G-7 hapën dyert e takimit të hënën për ekonomitë në zhvillim, duke ftuar udhëheqësit e Argjentinës, Indisë, Indonezisë, Afrikës së Jugut dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, ndër të tjera, për të kontribuar në përballjen me disa nga sfidat më të mëdha të botës: në radhë të parë intensifikimin e agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimin global.
Rusia intensifikoi sulmet ndërsa vazhonte takimi i G-7, me një raketë që goditi një qendër tregtare të mbushur me njerëz në Ukrainën qendrore të hënën. Kancelari gjerman Olaf Scholz, vendi i të cilit organizoi takimin, dënoi sjelljen e Rusisë.
“Më herët, me shumë vetëdije e quajta këtë një pikë kthese, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Të gjitha rregullat dhe marrëveshjet që kemi bërë me njëri-tjetrin për mënyrën dhe bashkëpunimin e shteteve janë prishur. Sidomos pajtueshmëria se kufijtë nuk duhet të zhvendosen përmes forcës”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, iu drejtua shtatë udhëheqësve të hënën në mëngjes përmes një video-konference duke kërkuar më shumë ndihma. Ai ka shprehur shqetësime lidhur me thellimin dhe përhapjen e mundshme të konfliktit.
“Dua t'u drejtohem qytetarëve të Bjellorusisë, si civilëve edhe ushtarakëve, po ju detyrojnë të hyni në luftë. Gjithçka për ju është vendosur në Kremlin, sot më shumë sesa në shkurt, ose në muajt e pranverës. Jetët tuaja nuk kanë asnjë vlerë për ata. Por ju nuk jeni skllevër apo mish për top”.
Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë thonë se ata gjithashtu duan ta shtojnë trysninë ekonomike ndaj Rusisë. Ndër idetë e diskutuara ishte edhe çmimi tavan i naftës ruse, që në thelb do të thotë refuzimi i pagesës përtej një çmimi të caktuar.
Analistët thonë se është e paqartë nëse kjo ide do të funksionojë pa bashkëpunimin e Indisë, e cila kohët e fundit ka blerë naftë nga Rusia me zbritje çmimi.
“Për të patur rezultat, të gjithë blerësit e naftës duhet të jenë dakord. Ka një pajtueshmëri mes vendeve të G-7 dhe disa vendeve të tjera, por jo India dhe Kina, dy vende të mëdha, që po blejnë naftën ruse tani. Mendoj se nuk ka gjasa që Kina do t'i bashkohet një klubi të tillë, duke patur parasysh se në thelb ka një qëndrim pro-rus ose neutral ndaj luftës. Gjithmonë do të ketë qëndrime kundër, por një qendrim i unifikuar, edhe pa Kinën, do të dëmtonte seriozisht të ardhurat financiare ruse”, thotë Dan Hamilton, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe analist me Institutin Brookings.
Konflikti në Ukrainë dhe zgjidhja e këtyre çështjeve ka të ngjarë të dominojë takimin e NATO-s që fillon punimet të mërkurën në Madrid.