Udhëheqësit e G-7ës u zotuan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën për “sa kohë që të nevojitet”. Në një deklaratë të përbashkët pas një lidhjeje videofonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, udhëheqësit nënvizuan, siç u shprehën ata, “angazhimin e palëkundur për të mbështetur qeverinë dhe popullin e Ukrainës në mbrojtjen e tyre kurajoze të sovranitetit të vendit dhe të integritetit territorial”.
Udhëheqësit e G-7ës thanë se “i takon Ukrainës të vendosë për një zgjidhje paqësore në të ardhmen, pa trysni të jashtme dhe pa u ndikuar”.
Your browser doesn’t support HTML5
Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, bëri të ditur se kërkesa kryesore e zotit Zelenskyy ishte për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe se biseda u përqëndrua tek perceptimi i tij për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj lufte. Zoti Zelenskyy i informoi udhëheqësit e G-7 se si qeveria e tij ka përdorur ndihmën e marrë deri më tani për “të maksimalizuar kapacitetin e Ukrainës, si për t’i rezistuar përparimit të forcave ruse, ashtu edhe për të bërë kundërsulme aty ku është e mundur”, tha zoti Sullivan.
Udhëheqësi ukrainas dëshiron që vendi i tij të arrijë një avantazh në fushëbetejë gjatë muajve të ardhshëm, pasi “ai beson se një konflikt i zgjatur, nuk është në interesin e popullit ukrainas”, tha zoti Sullivan.
Gjatë fjalimit që nuk u transmetua për publikun, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kërkoi sisteme mbrojtëse me raketa, më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe garanci të tjera në fushën e sigurisë, tha një zyrtar evropian. Zoti Zelenskyy gjithashtu u shpreh se dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë deri në fund të vitit, përpara se të fillojë stina e dimrit.
Presidenti ukrainas u tha udhëheqësve se tani nuk është koha për negociata me Rusinë, tha një diplomat i lartë francez. Udhëheqësi ukrainas tha se “ai do të negociojë kur të jetë në pozitën e duhur për të vepruar kështu”, tha diplomati.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po përgatisin dërgimin e një sistemi të avancuar raketash kundër-ajrore për ta ndihmuar Ukrainën ndaj agresionit të urdhëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Ndihma e re dhe përpjekjet e Grupit të Shtatëshes për të ndëshkuar Moskën vijnë ndërkohë që Presidenti Zelenskyy ka shprehur shqetësimin se Perëndimi mund të arrijë në një fazë lodhjeje nga lufta, e cila ka kontribuar për rritje të çmimeve të energjisë dhe të mallrave thelbësore në mbarë botën.
Udhëheqësit e fuqive kryesore industriale të botës u zotuan se “do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike, si dhe të qëndrojnë përkrah Ukrainës për sa kohë që duhet”.