Baza ajrore strategjike amerikane, strehë e avionëve luftarakë F-35

Your browser doesn’t support HTML5

Baza ajrore strategjike amerikane, strehë e avionëve luftarakë F-35

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar qindra miliona dollarë për të transformuar një bazë ajrore në skajin më verilindor të vendit në Alaskë, pranë Rrethit Arktik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, vizitoi kohët e fundit bazën e cila strehon avionë luftarakë, me vlerë disa miliarda dollarë, që mund të kapin çdo cep të hemisferës veriore.

Ky është fillimi i një dite në bazën ajrore amerikane “Eielson” në Alaskë, ku temperaturat në dimër arrijnë deri në -45 gradë Celsius dhe gjatë verës deri në 25 gradë Celsius.

“Ndër sfidat tona është mirëmbajtja e pajisjeve, pasi ato nuk janë ndërtuar për të funksionuar në temperatura kaq ekstreme”, thotë për Zërin e Amerikës koloneli i forcave ajrore Stuart Williamson.

Fatmirësisht, forcat ajrore kanë disa pajisje, që funksionojnë mjaft mirë në mot të ftohtë, superkompjuterat gjigantë.

“Avionët luftarakë janë superkompjutera. Kompjuterat funksionojnë shumë mirë në temperatura të ftohta. Por moti i ftohtë shkakton shumë sfida, si për shembull furnizimi i avionëve me karburant dhe transportimi i avionëve në pista. Madje, po të prekësh sipërfaqet metalike është e pamundur, të digjet dora”, thotë ushtaraku Brian Bucholtz.

Madje edhe me veshjet e duhura dimërore, në temperaturat -28 gradë Celsius, ekipet mund të punojnë jashtë për 10 minuta dhe pastaj duhet të hyjnë brenda për t’u ngrohur për 50 minuta.

“Duhen gjashtë persona për të bërë punën, që mund ta bëjë një individ në një orë në kushte normale”, thotë për Zërin e Amerikës ushtaraku Brian Bucholtz.

Pranvera dhe vera sjellin ekstremet e veta. Gjatë vizitës së ekipit të Zërit të Amerikës, shkrirja e borës e ktheu bazën në një moçal, ku zhurma e pompave të ujit konkurron me motorët e avionëve.

“Këtu magazinojmë mbi 100,000 pjesë të avionit F-35”, thotë shefi i logjistikës, kolonel Adam Starkey.

“Është detyra më sfiduese që kam patur me forcat ajrore. Një përvojë e madhe, vendosja e avionëve F-35 në Arktik duke kuptuar sfidat me të cilat përballemi”.

Të gjithë në bazën “Eielson” e dinë thënien e ikonës së forcave ajrore. Në vitin 1935, Gjenerali Billy Mitchell tha para Kongresit: “Kush mban Alaskën, do të ketë botën. Mendoj se është vendi më i rëndësishëm dhe strategjik në botë”.

Më shumë se 85 vjet më vonë, zgjerimi i bazës “Eielson” mes ekstremeve të Arktikut, vë në pah se si shteti i Alaskës vazhdon të jetë një pikë strategjike e mbrojtjes amerikane.