Rusia nisi sulme të reja me raketa të dielën ndaj dy qyteteve më të mëdha të Ukrainës, kryeqytetit të vendit, Kievit dhe Kharkivit. Sulmi vjen ndërsa udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes, u mblodhën për bisedime për të përcaktuar mënyra të reja për të izoluar Moskën.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se disa shpërthime tronditën pjesën perëndimore të qytetit dhe se u goditën të paktën dy ndërtesa banimi. Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm informacionet paraprake tregojnë se një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur, të cilët u shtruan në spital. Kryebashkiaku tha se një vajzë 7-vjeçare ishte nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një godine.
Duke iu referuar të dhënave paraprake një ligjvënës ukrainas, tha se Rusia kishte lëshuar 14 raketa kundër Kievit.
Sulmi në kryeqytetin e Ukrainës u krye pas tërheqjes së trupave ukrainase nga qyteti lindor i Sievierodonetskut, një fitore e madhe për Rusinë pas disa javë luftimesh të ashpra.
Ndërkohë, Rusia nisi sulme me raketa anembanë Ukrainës të shtunën. Sulmet u raportua të jenë kryer nga hapësira ajrore bjelloruse, vetëm disa orë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të takohej me presidentin bjellorus, Aleksandr Lukashenko në Shën Petersburg të Rusisë.
Lexoni edhe këtë Rusia lëshon mbi 40 raketa anembanë UkrainësPresidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm të shtunën se “Ukraina ka nevojë për më shumë armë dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore, sistemet moderne që kanë partnerët tanë, nuk duhet të jenë në zonat e trajnimit apo objektet e magazinimit, por në Ukrainë, ku ato nevojiten tani, nevojiten më shumë se kudo tjetër në botë”.
Ukraina tha se forcat ruse kanë pushtuar plotësisht Lysychanskun, një qytet fqinj i Sievierodonetskut, në rajonin lindor të Luhanskut. Moska pretendon se ka rrethuar rreth 2,000 trupa ukrainase në zonë.
Përparimet ruse duket se e sollën Kremlinin me afër vendosjes së kontrollit të plotë të provincës Luhansk, një nga objektivat e deklaruara të luftës së Moskës.
Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes vlerësoi të premten vendimin e Ukrainës për t'u tërhequr nga Sievierodonetsku, duke e përshkruar veprimin si "profesional" dhe "taktik".
"Ajo që po bëjnë është ta vënë veten në një pozicion ku mund të mbrohen më mirë", u tha zyrtari gazetarëve në kushte anonimiteti.
Dhe ndërsa tha se forcat ruse arritën përparime rreth Sievierodonetskut, zyrat theksoi se përparimi pati kosto të konsiderueshme.
“Rusët kanë pësuar humbje të rënda në njerëz dhe në pajisje”, tha zyrtari. “Forcat ruse po tregojnë shenja të molisjes dhe moralit të rënë dhe kjo po ndikon në aftësinë e tyre për të ecur përpara me shpejtësi”.