Presidenti Joe Biden nënshkroi të shtunën në ligj një masë dypartiake që garanton më shumë mbrotje nga dhuna me armë zjarri, reforma e parë e madhe në nivel federal lidhur me armët, në tre dekada. Nënshkrimi erdhi disa ditë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që zgjeron të drejtat lidhur me armët e zjarrit.
"Kjo është ditë tejet e rëndësishme", tha zoti Biden në Shtëpinë e Bardhë, me në krah bashkëshorten e tij, Zonjën e Parë Jill Biden. "Do të shpëtojmë shumë jetë", shtoi ai.
Në një vendim të saj të enjten Gjykata e Lartë u shpreh se Kushtetuta amerikane e mbron të drejtën e një individi për të mbajtur një pistoletë në publik për vetëmbrojtje. Kontrolli i armëve ka qenë prej kohësh një çështje përçarëse në vend. Megjithë disa përpjekje për të vendosur kontrolle të reja mbi shitjet e armëve, ato kanë dështuar herë pas here.
Ligji i ri përfshin dispozita që do të ndihmojnë shtetet t'i mbajnë armët e zjarrit, larg nga duart e atyre personave që konsiderohen rrezik për veten apo të tjerët, si dhe bllokon shitjen e armëve të zjarrit, atyre personave që janë dënuar për abuzim me partnerët e tyre edhe pse nuk janë të martuar. Po ligji nuk ndalon shitjet e armëve të sulmit ose të karikatorëve me kapacitet të lartë.
Ligji ndërmerr disa hapa lidhur me kontrollin e së shkuarës së një personi, duke lejuar qasjen për herë të parë në informacione për krime të rëndësishme të kryera nga të miturit. Ai gjithashtu nuk lejon shitjen e armëve personave të dënuar për dhunë në familje.
Presidenti Biden tha se për të shënuar nënshkrimin e këtij ligji, do të organizonte një takim në korrik kushtuar viktimave të dhunës me armë.
"Mesazhi i tyre (familjeve të viktimave)për ne ishte, bëni diçka, dhe ne sot e bëmë", tha ai.
Presidenti ripërsëriti kritikat ndaj vendimit të njoftuar të premten nga Gjykata e Lartë, i cili zhvesh nga mbrotja kushtetuese të drejtën për abort, duke ia lënë këtë çështje në dorë shteteve për të vendosur.
Ai tha se administrata e tij do të përqëndrohej në mënyrën se si shtetet do të reagonin pas këtij vendimi, e do të sigurohej që ato të mos shkelnin ligje të tjera.
"Gjykata e Lartë ka marrë disa vendime të tmerrshme", tha zoti Biden. "Jill dhe unë e dimë se sa i dhimbshëm dhe dëmtues është ky vendim për shumë amerikanë. "Ne do të ndërmarrim veprime për të mbrojtur të drejtat e grave dhe shëndetin riprodhues", shtoi presidenti.