Ndotja nga industria e naftës në Kuçovë mbetet jashtë kontrollit

Kucove

Banorët e Kuçovës bashkëjetojnë me puset dhe pellgjet e zeza të naftës në oborret e tyre, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë Albpetrol fajësojnë teknologjinë e vjetër dhe ndërtimet informale për ndotjen e zonës.

Në ditët e nxehta të qershorit, era e rëndë e puseve të naftës në qytetin e Kuçovës ndjehet më e fortë. Ndonjëherë, nafta rreth pellgjeve të zeza është e ngrirë. Herë të tjera, ajo pikon nga ingranazhet e puseve që punojnë.

Rrjedhja e naftës nga puset është burimi kryesor i ndotjes në Kuçovë dhe pellgjet e zeza gjenden shpesh brenda oborreve të shtëpive. Kompania publike e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka detyrimin që të pastrojë ndotjet nga nafta, por kjo nuk ndodh gjithmonë.

Përfaqësuesit e Albpetrol thonë se po bëjnë përpjekje për pastrimin e zonës, por fajësojnë teknologjinë e vjetër dhe ndërtimet informale pranë puseve të naftës.

“Ne vazhdojmë duke bërë studimet tona, duke gjetur mundësinë për krijimin e këtyre gropave ekologjike, për t’i eliminuar. Sot është e vështirë, sidomos në këto puset e teknologjisë së Italisë, që janë me rrota që litarët kalojnë nëpër gardhe, bahçe, themele shtëpish, kur i thonë dhe është e pamundur ta menaxhosh punën", thotë Gentian Allabaku, kryetar i Degës Teknike në Qendrën e Prodhimit të Naftës, Albpetrol, në Kuçovë.

Sipas dy raporteve të fundit të vetëmonitorimit mjedisor të kryera nga Albpetrol në vitin 2020 në Kuçovë, industria nxjerrëse e naftës ka shkaktuar ndotje të ujërave sipërfaqësorë me hidrokarbure, fenole dhe metale të rënda.

Ekspertët e mjedisit e konsiderojnë këtë një dëm serioz për shëndetin e banorëve që jetojnë pranë puseve të naftës.

“Ndotja mjedisore nga nxjerrja e naftës është evidente dhe e njohur prej dekadash. Për arsye se gjendja është jashtëzakonisht e keqe, në kuptimin e impaktit që ka në shëndetin e njerëzve në radhë të parë, jo vetëm shëndetin e njerëzve që jetojnë aty, por edhe të brezave të ardhshëm”, thotë aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni.

Albpetrol zotëron gjithsej 980 puse aktive në Kuçovë nga 1615 në total, ku pjesa më e madhe e tyre janë drejt fundit të jetës. Drejtori i qendrës së prodhimit të naftës në Kuçovë, Selfo Kapllani tha jashtë kamerave se ata prodhonin tani vetëm 51 ton nafte në ditë dhe parashikonin një humbje prej 58 milionë lekësh për vitin 2022.

E njohur prej vitesh si një zonë e rrezikshme mjedisore, kjo pjesë e Kuçovës ishte lënë prej të paktën dy vitesh jashtë vëmendjes së institucioneve përgjegjëse mjedisore. Në bashkinë e Kuçovës, zyrtarët e mjedisit e pranojnë se nuk kanë informacion të ri mbi nivelin e ndotjes.

“Unë nuk jam në dijeni të këtyre monitorimeve që ka bërë ndërmarrja Albpetrol. Ne kemi bërë monitorimin e fundit në vitin 2016”, thotë Bardhyl Suli, Drejtor i Mjedisit pranë Bashkisë së Kuçovës.

Sipas aktivistit mjedisor, Lavdosh Ferruni, dëmet e shkaktuara nga industria e naftës në Shqipëri janë disa herë më të larta se përfitimet.

“Njeriu ka arritur të gjejë alternativa shumë më dashamirëse me mjedisin dhe të sigurojë një jetë normale me perspektivë të një mirëqenie gjithmonë e më të mirë në të ardhmen pa naftë”, thotë ai.