Në Tiranë, shumica socialiste rrëzoi sot si anti-kushtetuese kërkesën e 35 deputetëve të opozitës për të ngritur një komision hetimor për zbatimin e ligjit mbi investimet strategjike.
Por opozita tha se mohimi i komisionit hetimor është bërë për të fshehur abuzimet, klientelizmin dhe korrupsionin e Edi Ramës me ligjin për investimet strategjike.
Your browser doesn’t support HTML5
Por deputetët e Partisë Demokratike deklaruan se qeveria po fsheh abuzimet e veta me 36 projekte, që kanë marrë statusin e investitorit strategjik, ku pjesa më e madhe janë klientë vendas të pushtetit dhe asnjë investitor i huaj.
Deputetët e opozitës deklaruan se qeveria po abuzon me ligjin për investimet strategjike, duke miratuar 36 projekte me vlerë 4.6 miliardë euro, i barabartë me buxhetin vjetor të shtetit shqiptar, por 80 për qind e tyre janë projekte në fushën e turizmit, të dhëna pa garë, dhe investitorëve u vihen në dispozicion pasuri publike.
Sipas deputetëve të opozitës, ligji i miratuar 7 vjet më parë synoi të sillte investitorë seriozë të huaj, por në fakt përfitues janë 10 kompani vendase, miq dhe klientë të kryeministrit Rama.
Deputetja Jorida Tabaku tha se qeveria shpronëson banorët e bregdetit dhe pronat e tyre ua jep këtyre klientëve shqiptarë të qeverisë.
“Në vend që pronarët e ligjshëm të menaxhojnë vet pronat e tyre, hyn në mes qeveria, ua merr pronën pronarëve dhe ua jep atyre që i quan investitorë strategjikë. Përfituesit janë po ata që kanë ndërtuar resorte të tjerë në bregdetin e Shqipërisë, një grup i vogël vendas, që rrinë pranë qeverisë” - tha zonja Tabaku.
Deputetët socialistë hodhën poshtë akuzat dhe nga ana tjetër rrëzuan kërkesën e opozitës për hetime parlamentare me shpjegimin se për komisione të tilla Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim, sipas të cilit, hetimet parlamentare duhet të kenë përcaktuar qartë objektin dhe fushën e hetimit.
Drejtuesi i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se kërkesa e opozitës bie ndesh me ligjin përkatës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kërkesa është anti-kushtetuese dhe impakti negativ i saj mund të cënojë edhe ekonominë e vendit. Të kërkosh të hetosh propozime nga investitorët në një kohë që nuk është nënshkruar asnjë kontratë, në një fazë që të gjithë janë aplikantë, do të thotë të kesh krijuar një makth të pandreqshëm në perceptimin e një investitori të huaj që interesohet të vijë në Shqipëri” - tha zoti Balla.
Opozitarët theksuan se ligji është shndërruar nga kryeministri Rama në një mjet për të shpërblyer me pasuri publike, kryesisht me prona në brengdet, në kundërshtim me ligjin, miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se është qeveria ajo që po merr vendime antikushtetuese dhe antiligjore, duke u dhënë me metoda korruptive projekte dhe status si investitorë strategjike të njëjtëve klientëve të qeverisë, që marrin prej 9 vitesh çdo koncension, PPP dhe çdo tender të madh nga kjo qeveri.
Zoti Bardhi tha se “së fundi është shtuar në listën e investitorëve strategjikë në konflikt të hapur interesi dhe në kundërshtim me normat kushtetuese e ligjore edhe ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka, dhe bashkëshorti i saj ish deputet, të cilët do të investojnë në turizëm me burime të ardhurash të panjohura duke përfituar pasuri publike”.
Deputeti Bardhi tha se kompania e bashkëshortit të saj deklaron humbje prej 5 vjetësh, se kanë marrë kredi për të blerë shtëpi dhe automjet, madje përfitoi pagë lufte si subjekt në nevojë gjatë covidit, kanë deklaruar dy paga dhe një qera objekti, por të nesërmen ata u shfaqën si investitorë strategjikë.
Më herët zonja Xhaçka i hodhi poshtë akuzat e opozitës në vazhdën e një interpelance, ku qeverisë iu kërkua të shpjegonte dhënien e statusit investitor strategjik si dhe dhënien në përdorim të bregdetit familjarëve të ministres së jashtme pranë një investimi turistik të tyre.
“Nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as Kryeministri, askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë, askush. Unë nuk jam në konflikt interesi, dhe këtë nuk e them vetëm unë, por këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe ILDKPI. Gjykata Kushtetuese në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo të ministrave që të merren me biznes” - tha ministrja Xhaçka.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka rrezikon të përballet me Gjykatën Kushtetuese për një konflikt të mundshëm interesi me mandatin e saj si deputete e parlamentit shqiptar.
Deputetë të opozitës kanë firmosur dhe dorëzuar kërkesën për “ndjekjen e procedurave parlamentare për konstatimin e pavefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
Sipas kërkesës për heqjen e mandatit të deputetes për ministren Xhaçka, ajo ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit, kur një vit më parë Komiteti qeveritar i investimeve strategjike i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë në pronësi të bashkëshortit të saj për ndërtimin e një hoteli disa katësh, me 5 yje, në bregdetin e Dhërmiut, me një vlerë prej 5.5 milionë eurosh.
Dy ditë më parë grupi parlamentar i Partisë Demokratike kallëzoi në SPAK kryeministrin Edi Rama për abuzime me ligjin e investimeve strategjike për rastin e ministres Xhaçka.