Nënsekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për çështje politike, Rosemary DiCarlo, tha se politikanët e Bosnjës duhet të bashkohen në rrugën e reformave dhe përparimin e vendit që përballet me ndarje të thella etnike që nga përfundimi i luftës së viteve të 90-ta.
Zonja DiCarlo e cila qëndroi në Sarajevë, tha se anëtarëve të presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, Milorad Dodik dhe Zhelko Komshiç, u vuri në dukje rëndësinë e hapave konkret për të nxitur dialogun, respektin e ndërsjellë dhe mirëbesimin ndërmjet komuniteteve.
Në një intervistë me programin në shërbimin boshnjak të Zërit të Amerikës, zonja DiCarlo tha se “ndarjet e vazhdueshme në shoqëri janë burim i mungesës së përparimit në Bosnjë e Hercegovinë. Është e nevojshme që jo vetëm udhëheqësit politikë por edhe shoqëria të bashkohen për të punuar për të ardhmen e këtij vendi dhe për t’u mundësuar qytetarëve të përmbushin mundësitë e tyre”.
Ajo tha se me udhëheqësit në Sarajevë ka diskutuar për situatën aktuale politike dhe ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për shumë çështje që ndikojnë në përparimin e vendit, përfshirë pandeminë e COVID-19 dhe luftën në Ukrainë.
Qartazi, tha ajo, duhet një bashkim për reformat e domosdoshme për të ecur përpara dhe “gjithashtu është e nevojshme një pikëpamje e përbashkët për të ardhmen e Bosnjës. Qartazi ka një dëshirë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian që ne e mbështesim plotësisht dhe këtë ua thashë këtë edhe të tre udhëheqësve”.
Lufta në Ukrainë ka nxitur shqetësime për situatën në Bosnjë e cila po përballet me krizën më të rëndë politike që nga përfundimi i luftës.
“Bisedova me ta për disa nga ndarjet që i shohim në shoqëri, përfshirë shtimin e gjuhës së urrejtjes dhe i trimërova të tre udhëheqësit të dëshmojnë udhëheqësi në luftimin e dukurive të tilla”, tha zonja Di Carlo.
Kombet e Bashkuara, tha ajo, kanë një numër nismash për të nxitur përparimin ekonomik, por po punojnë shumë në ndërtimin e paqes dhe ripajtimin, posaçërisht me të rinjtë.
“Ka një numër fushash që duhet trajtuar kur flitet për ndërtimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në Bosnjë e Hercegovinë. Pikë së pari është kontrata shoqërore e qytetarëve me udhëheqësit e tyre. Kjo është një rrugë e rëndësishme përpara... kam shumë shpresë për Bosnjën dhe Hercegovinën. Qartazi ka nevojë për disa reforma në fushën ekonomike, politike dhe të sundimit të ligjit, por po ashtu ka nevojë për respektim të dallimeve dhe të drejtave në shoqëri”, tha zonja DiCarlo.
Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
Udhëheqësi pro-rus, Milorad Dodik, ka mbrojtur për vite me radhë ndarjen e entitetit gjysmë-autonom serb të Bosnjës nga pjesa tjetër e vendit shumetnik.
Lexoni edhe këtë Shtetet e Bashkuara sanksionojnë dy politikanë të BosnjësMë herët gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara sanksionuan zotin Dodik edhe disa politikanë të tjerë të Bosnjës, “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.