Komisioni Evropian mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE

Komisioni Evropian rekomandoi të premten që Ukrainës t'i jepet statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

"Ukraina ka demonstruar qartë aspiratën dhe vendosmërinë e saj për të përmbushur standardet evropiane", tha në Bruksel kryetarja e Komisionit Ekzekutiv të BE-së Ursula von der Leyen.

Komisioni rekomandoi që edhe Moldavisë, një prej vendeve fqinje të Ukrainës, t’i jepet statusi për anëtarësim në bllok.

Por Ukraina dhe Moldavia përballen me një proces të gjatë deri tek anëtarësimi në BE.

Të enjten Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Kryeministri italian Mario Draghi dhe Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis vizituan Kievin, në shenjë mbështetjeje ndërsa vendi përballet me agresionin rus.

"Është një moment i rëndësishëm, një mesazh uniteti që po u dërgojmë ukrainasve", tha zoti zoti Macron.

Pas bisedimeve me Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, të katër udhëheqësit evropianë sinjalizuan se Kievit do t'i ofrohej statusi i kandidatit.

Kolegët e mi dhe unë kemi ardhur sot këtu në Kiev me një mesazh të qartë, Ukraina i përket familjes evropiane”, tha zoti Scholz.

Në një mesazh në Twitter, Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit rus të Sigurisë, i cili ka mbajtur më parë edhe detyrën e presidentit, u tall me udhëheqësit evropianë duke i quajtur ata "ekspertë bretkosash, mëlçish e makaronash" dhe duke shtuar se vizita e tyre nuk kishte sjellë asnjë përfitim.

Ata premtuan sërish anëtarësimin në BE dhe artileri të rëndë të vjetëruar, pinë pak vodka dhe si 100 vjet më parë, morën trenin dhe u nisën në shtëpi”, shkruante Medvedev në Twitter. "Nuk ka asnjë problem, vetëm se kjo nuk e afron Ukrainën më pranë paqes. Dhe koha po kalon".

Por në fjalimin e tij të mbrëmjes zoti Zelenskyy tha se ishte e rëndësishme për të, që të dëgjonte se udhëheqësit evropianë "bien dakord se fundi i luftës dhe paqja për Ukrainën, do të jetë ashtu sikurse e sheh Kievi".

Ai tha se ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë për çdo pëllëmbë të territorit të tyre.

Ndihma ushtarake

Luftimet vazhdojnë të jenë të përqendruara në qytetin lindor të Sievierodonetskut. Forcat ukrainase thonë se trupat e tyre vazhdojnë të rezistojnë. Kievi pretendon gjithashtu se ka bërë përparim në disa pjesë të territorit në jug duke marrë sërish kontrollin e tyre. Zoti Zelenskyy tha se fitorja në luftë varet nga mbështetja me armë e Perëndimit.

"Ne e vlerësojmë mbështetjen e ofruar deri tani nga partnerët, dhe presim dërgesa të reja, kryesisht armatime të rënda, artileri moderne, sisteme të mbrojtjes kundër raketave", tha ai pasi bisedoi me homologët e tij evropianë.

"Ka një lidhje të drejtpërdrejtë: sa më shumë armë të fuqishme të marrim, aq më shpejt mund t’i çlirojmë njerëzit tanë dhe tokën tonë", tha ai.

Në Bruksel, ministrat e mbrojtjes të mbi 45 vendeve, nga NATO dhe shtete të tjera, diskutuan për dërgimin e armëve në Ukrainë, si dhe për forcimin e kufijve lindorë të aleancës.

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara njoftuan një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën prej 1 miliard dollarësh, dërgesa e 12-të dhe më e madhe nga Uashingtoni, e cila synon të ndihmojë Kievin në luftën kundër Rusisë, e cila po përparon ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme në rajonin e Donbasit.