Komisioni që po heton ngjarjet e 6 janarit u përqendrua të enjten tek përpjekjet e zotit Donald Trump për të mbajtur pushtetin, duke ushtruar trysni ndaj Nënpresidentit Mike Pence për të mos numëruar votat e kolegjit elektoral në prag të sulmit të dhunshëm në ndërtesën e Kongresit amerikan.
Me dy dëshmitarë, përfshirë avokatin e zotit Pence, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve u përpoq të tregojë se pretendimet e rreme të presidentit të atëhershëm Donald Trump për manipulim të zgjedhjeve, bënë që ai të përpiqej të gjente alternativa të tjera, ndërsa gjykatat hodhën poshtë me dhjetëra padi që sfidonin rezultatin e zgjedhjeve.
Zoti Trump iu përmbajt planit të profesorit konservator të drejtësisë John Eastman dhe nisi një fushatë trysnie publike dhe private ndaj zotit Pence, vetëm disa ditë përpara se nënpresidenti të kryesonte seancën e përbashkëtnë Kongres më 6 janar, për të çertifikuar fitoren e zgjedhjeve nga demokrati Joe Biden.
Kryetari i komisionit, ligjvënësi Bennie Thompson, hapi seancën duke cituar fjalët e vetë zotit Pence se nuk ka “pothuajse asnjë ide më joamerikane” sesa ajo që iu kërkua atij bënte - të refuzojë rezultatin e zgjedhjeve.
“Zoti Trump donte që zoti Mike Pence të bënte diçka që asnjë nënpresident tjetër nuk e ka bërë ndonjëherë”, tha ligjvënësi Thompson. “Demokracia iu afrua katastrofës në mënyrë të rrezikshme”.
Duke refuzuar kërkesat e zotit Trump, zoti Pence “bëri detyrën e tij”, tha nënkryetarja e komisionit, republikania Liz Cheney e shtetit Uajoming (Wyoming).
Komisioni paraqiti situatën e të ditëve të fundit para sulmit të 6 janarit në Kongres, ndërsa zoti Donald Trump, shtoi përpjekjet e tij për të ndryshuar procedurat e gjata zgjedhore, duke vënë në rrezikuar nënpresidentin ndërsa turma iu drejtua Kongresit.
Komisioni dëgjoi dëshmi nga zoti Greg Jacob, këshilltari i nënpresidentit që kundërshtoi idetë e profesorit Eastman që zoti Pence të zbatonte planin. Gjithashtu dëshmoi dhe gjykatësi federal në pension Michael Luttig, i cili e quajti planin nga zoti Eastman, ish-nëpunësi i tij ligjor, "të pasaktë në çdo hap".
Zoti Jacob tha se zoti Pence e kishte thirrur atë në zyrën e tij në fillim të dhjetorit 2020 për t'u sqaruar në lidhje me rolin e nënpresidentit në çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ai tha se u bë e qartë për zotin Pence se etërit themelues të Kushtetutës nuk synonin t’i jepnin fuqi asnjë individi, as dikujt që kandidon për një post të lartë, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
“Zoti Pence kurrë nuk u lëkund nga kjo pikëpamje”, tha zoti Jacob.
Zoti Luttig tha se nëse zoti Pence do t'u ishte bindur urdhrave të zotit Trump, që ishin padyshim në kundërshtim me ligjin, shpallja "e Donald Trump-it president, do ta kishte zhytur Amerikën” në atë që, sikurse tha ai “do të ishte e barabartë me një revolucion e një krizë kushtetuese në Amerikë".
Komisioni synon të tregojë se trysnia që zoti Trump ushtroi ndaj zotit Pence kontribuoi drejtpërdrejt në sulmin ndaj Kapitolit.
Gjatë punimeve të komisionit u shfaqën pamje filmike që tregonin protestuesit jashtë Kapitolit tek thërrisnin "varni Mike Pence" e shanin me fjalë vulgare ndërsa sulmonin ndërtesën. Seanca e së enjtes pritet të nxjerrë prova të reja në lidhje me rrezikun me të cilin u përball zoti Pence pas sulmit të dhunshëm në Kapitol.
Zoti Thompson tha të enjten se komisioni do të kërkojë për intervistë Virginia "Ginni" Thomas, bashkëshorten e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas, pas zbulimit të komunikimeve të aktivistes konservatore me persona të rrethit të ngushtë të zotit Trump përpara sulmit. Po ai nuk dha detaje se kur mund të zhvillohet intervista.
"Është koha që ajo të vijë të flasë", u tha zoti Thompson gazetarëve përpara fillimit të seancës dëgjimore.
Por, përpara seancës, ish-shefi i personelit të zoti Pence, Marc Short, tha se shefi i tij ishte i vendosur të qëndronte në Kapitol atë natë dhe të përfundonte punën, pavarësisht kërcënimeve.
"Ai e dinte se puna e tij ishte të qëndronte në detyrën e tij", tha zoti Short për rrjetin televiziv CNN të mërkurën.
Zoti Short tha se zoti Pence nuk donte që bota të shihte nënpresidentin tek largohej nga Kapitoli, një simboll dallues i demokracisë, ndërsa ishte nën rrethim.
Ligjvënësja republikane Liz Cheney, në cilësinë e nënkryetares së komisionit hetimor dhe kundërshtarja më e zëshme e zotit Trump në komision, tha javën e kaluar, se ish-presidenti, i cili po e shihte kaosin në televizion nga Shtëpia e Bardhë, u tha ndihmësve të tij, se ishte dakord me idenë se zoti Pence duhej varur.
"Ndoshta mbështetësit tanë kanë të drejtë. Mike Pence e meriton një gjë të tillë", dyshohet të ketë thënë zoti Trump.
Zonja Cheney tha gjithashtu se "Presidenti Trump besonte, se mbështetësit e tij në Kapitol, po bënin ‘atë që duhet të bënin’ ", duke iu referuar fjalëve të tij.
"Kjo është ajo, që ai i tha ndihmësve të tij, ndërsa ata i luteshin t’i bënte thirrje mbështetësve të tij të largoheshin", tha zonja Cheney.
Në një video-mesazh, që i parapriu seancës, zonja Cheney iu referua vendimit të fundit të një gjykatësi federal, sipas të cilit, zoti Trump mund të ketë kryer dy krime federale duke ushtruar trysni ndaj zotit Pence.Në përgjigje të seancave të komisionit, ish-presidenti Trump lëshoi një deklaratë prej 12 faqesh të hënën, duke e quajtur hetimin një përpjekje të demokratëve për ta penguar atë të rikandidojë për zgjedhjet e vitit 2024.
Seanca dëgjimore e së enjtes, është e treta në një seri të tillash të planifikuara gjatë këtij muaji për të treguar se si ndodhi sulmi i dhunshëm dhe cili ishte roli i zotit Trump, i cili ftoi mbështetësit e tij në Uashington, duke u kërkuar të "luftojnë me gjithë fuqinë" për ta mbajtur atë në detyrë.
Më shumë se 800 vetë janë arrestuar me akuza që variojnë nga hyrja e paligjshme, kryerja e akteve vandale ndaj Kapitolit, tek sulmi ndaj policisë. Disa prej udhëheqësve të sulmit të dhunshëm janë akuzuar për komplot për të rrëzuar me forcë qeverinë.
Të hënën, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve shfaqi dëshmi të regjistruara të disa ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë të cilët thanë se i kishin kërkuar zotit Trump ditën e zgjedhjeve, që të mos e shpallte fitoren, këshillë që ai e injoroi, duke shpallur fitoren në orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit 2020.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr dhe ndihmës të shumtë i kanë thënë komisionit se në periudhën kohore mes zgjedhjeve dhe sulmit ndaj Kapitolit, ata i kishin thënë zotit Trump se pretendimet e tij për manipulime në zgjedhje ishin të pabaza dhe se ai i kishte humbur zgjedhjet.
Zoti Barr tha në dëshminë e transmetuar nga komisioni, se shumë nga pretendimet e zotit Trump për parregullsi në votime ishin "plotësisht false dhe qesharake".
"Natyrisht, ai i humbi zgjedhjet. Nuk kishte asnjë bazë provash të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve", tha zoti Barr në dëshminë e tij.