Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç, nisën sot një vizitë në Ukrainë. Ata shkuan fillimisht në zonat e bombarduara të Borodyankas dhe Irpinit, ndërsa më pas vizituan dhe ekspozitën me dëshmi të pasojave që ka shkaktuar sulmi rus mbi Ukrainën. Gjatë vizitës të dy kryeministrat u takuan dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, me të cili nënshkruan, me pëlqimin dhe të Maqedonisë së Veriut një deklaratë të përbashkët ku të tre vendet ballkanike shprehën mbështetjen e tyre që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE.
Kryeministrat e të dy vendeve ballkanike mbërritën në Kiev në orët e para të ditës, pas një udhëtimi të gjatë me tren nga Polonia. Të shoqëruar nga autoritetet vendase, zoti Rama dhe Abazoviç e nisën vizitën e tyre duke parë nga afër pasojat shkatërrimtare të luftës së nisur nga Rusia në Borodyanka dhe Irpin, zona të cilat ishin ndër të parat që u bombarduan dhe ku është deklaruar një numër i lartë civilësh të vrarë e të gjetur nën rrënoja, përfshirë dhe fëmijë. Edhe pamjet e shpërndara nga zyra e kryeministrit shqiptar, dëshmojnë lehtësisht dëmet e mëdha në banesa e pallate të rrënuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Zoti Rama dhe homologu i tij i Malit të zi, Abazoviç, vizituan më pas një ekspozitë me dëshmitë e agresionit rus në Ukrainë. Në përfundim, në librin e përshtypjeve kryeministri Rama do të shkruante se “bota duhet ta ndalë këtë horror dhe Ukraina të dalë e rilindur nga kjo”.
Ndërsa per mediat e vendit të tij, kryeministri Abazovic është shprehur se “është tragjike ajo që kemi parë dhe dëgjuar”, duke nënvizuar se “gjëja më e rëndësishme është ndalimi i sulmeve, agresionit dhe vrasjes së civilëve".
Shqipëria ishte ndër vendet e para që dënoi agresionin rus në Ukrainë. Ajo, sikundër nga ana e vet dhe Mali i zi, i janë bashkuar sanskioneve ndaj Rusisë. Edhe vizita e sotme ishte shenjë e qartë e mbeshtetjes ndaj Ukrainës.
Shqipëria ishte gjithashtu pjesë e konferencës së donatorëve për këtë vend, duke ofruar 1 milion euro, ndërkohë që ka dhënë ndihma dhe në ushqime e materiale ushtarake.
Vizita e sotme në Ukrainë vjen në në një moment kur Shqipëria kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku njëkohësisht ajo është dhe penë-mbajtëse, së bashku me Shtetet e Bashkuara, për çështjen e Ukrainës, duke qenë kështu nismëtare dhe e rezolutave që dënojnë agresionin rus.
Në Kiev të dy kryeministrat ballkanas u takuan dhe me autoritetet më të larta të vendit. Ata biseduan me homologun e tyre ukrainas Denys Shmyhal, me kryetarin e bashkisë së kryeqytetit Vitali Kliçko, si dhe me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, gjatë takimit me të cilin, përmes një lidhjeje video, e përfshi, me një përshëndetje dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili nuk kishte mundur t’i bashkohej dy kryeministrave të tjerë të rajonit, siç ishte parashikuar. Shqipëria, Mali i zi dhe Maqedonia e Veriut janë tre vendet e Ballkanit perëndimor të cilat janë anëtare të NATO-s.
Tirana, Podgorica dhe Shkupi mbështesin Ukrainën për statusin kandidat për në BE
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në përfundim të takimit me presidentin Zelenskyy, u njoftua firmosja e një deklarate të përbashkët, së cilës i është bashkangjitur dhe Ukraina. Përmes saj, të tre vendet ballkanike japin mbështetjen e tyre që ky shtet të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin europian. Duke e cilësuar takimin si “praktikisht një Samit të Ukrainës me Ballkanin perëndimor”, presidenti Zelenskyy tha se ai “është një dëshmi e mbështetjes për Ukrainën nga ana e Kryeministrave dhe vendeve të tyre për Ukrainën, për integritetin e saj territorial, sovranitetin e saj si dhe për kauzën tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, si edhe çka është më e rëndësishmja edhe nevojën për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë autorët e krimeve ruse për gjithçka që kanë bërë kundër Ukrainës në tokën tonë dhe kundër Europës, gjithashtu edhe për negociatat”.
Vendet e Ballkanit nuk kanë asnjë peshë në vendimmarrjen e BE për marrëdhënien e saj me Ukrainën, por siç shpjegoi kryeministri shqiptar Edi Rama, duke dëshmuar se “nuk kemi asnjë problem në qoftë se BE-ja i jep statusin kandidat Ukrainës, askush nuk duhet të thotë kësisoj që “jo, se po tja japim Ukrainës, këta të tjerët që po presin do të fillojnë të bëhen nervozë”. Jo! Nuk do të bëhemi nervozë! Përkundrazi, do të jemi të lumtur për Bashkimin Europian sepse do të bëjë diçka shumë të dobishme për veten gjithashtu, për veten, jo vetëm për Ukrainën, por për veten e tij”.
Sipas kryeministrit të Malit të zi Abazoviç “pas 24 shkurtit, jemi në një pozicion krejt ndryshe dhe është momenti përfundimtar për të kuptuar që nuk duhet që të largohemi që të lëmë gropa të zeza në Europë, asnjë gropë te zezë në Europë. Sot është Ukraina, nesër mund të jetë për një shtet tjetër, pasnesër mund të jetë në Ballkanin Perëndimor. Kështu që, ideja është që të përpiqemi të ecim përpara për ta mbajtur gjallë procesin e zgjerimit dhe për të nxitur dhe promovuar më shumë solidaritet, për ta bërë familjen europiane gjithnjë e më të madhe”.
Si pjesë e mbështetjes ndaj Ukrainës, kryeministri Rama bëri të ditur se kanë propozuar “për të bashkuar përpjekjet dhe për të ndërtuar një bllok ndërtesash, secili prej vendeve, për familjet dhe fëmijët e Irpinit”.
Nga ana e tij, presidenti Zelenskyy, vuri dhe një herë theksin te mbështetja e përforcuar ndërkombëtare ndaj Ukrainës, dhe ashpërsimi i mëtejshëm i sanksioneve. “Një përgjigje taktike efektive kundër agresionit rus duhet të jetë një mbështetje më e intensifikuar dhe në kohë për Ukrainën që është shumë e rëndësishme, e sidomos me armatime, si dhe me rritjen e trysnisë kundër Rusisë dhe sanksioneve kundër Federatës Ruse për këtë agresion. Paketa e shtatë e sanksioneve – nënvizoi më tej ai - duhet të jetë mjaft e prekshme e duhet të ndihet në mënyrë akute nga Rusia. Duhet të jetë më e fuqishme se gjashtë paketat paraardhëse. Duhet të jetë përgjigje strategjike ndaj agresionit rus e duhet të forcojë unitetin e kontinentit”.