Udhëheqësi i rajonit separatist të mbështetur nga Rusia, Donetskut, tha të dielën se nuk kishte asnjë arsye për të falur dy shtetasit britanikë, të cilët u dënuan me vdekje javën e kaluar, pasi u kapën ndërsa luftonin për Ukrainën.
Një gjykatë në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut shpalli fajtorë të enjten Aiden Aslin dhe Shaun Pinner-in, si dhe shtetasin maroken Brahim Saadoun, duke i akuzuar për "veprimtari mercenare" me synimin për të përmbysur republikën.
Britania thotë se Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, ishin ushtarë të rregullt dhe sipas Konventave të Gjenevës duhet të përjashtohen nga ndjekja penale për pjesëmarrje në akte armiqësore. Separatistët pro-rusë që kontrollojnë Donetsk-un thonë se ata kanë kryer krime të rënda dhe kanë një muaj kohë për ta apeluar vendimin.
"Unë nuk shoh asnjë bazë apo parakusht që të dal me një vendim për falje", tha Denis Pushilin, kreu i republikës separatiste, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.
Donetsku dhe Luhansku janë dy entitete separatiste të mbështetura nga Rusia që shtrihen në rajonin Donbasit në Ukrainën lindore. Moska thotë se po bën përpjekje për të marrë kontrollin tërësor të Donbasit.
Tre ditë para nisjes së sulmit në Ukrainë, më 24 shkurt, Presidenti Vladimir Putin njohu Donetskun dhe Luhanskun si shtete të pavarura, një veprim që u konsiderua i paligjshëm nga Ukraina dhe Perëndimi.
Familjarët e Aiden Aslinit thanë se ai dhe Shaun Pinner "nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë mercenarë".
“Ata jetonin në Ukrainë kur shpërtheu lufta dhe si anëtarë të forcave të armatosura ukrainase, duhet të trajtohen me respekt ashtu si çdo i burgosur tjetër lufte", shkruhej në deklaratën e familjes së zotit Aslin.