Në Shtetet e Bashkuara vijon të ketë mungesa të qumështit artificial për foshnjat. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti, disa nëna kanë marrë masa ekstreme në mënyrë që të ushqejnë foshnjat e tyre, duke përfshirë blerjen e qumështit të gjirit në mediat sociale nga gra që nuk i njohin.
Your browser doesn’t support HTML5
Për më shumë se një vit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka patur mungesa të qumështit artificial për foshnjat. Muajin e kaluar, ky produkt filloi të zhdukej nga raftet e dyqaneve.
Disa ekspertë thanë se mungesa e qumështit artificial për foshnjat vinte si pasojë e problemeve të zinxhirit të furnizimit. Të tjerët thanë se mbyllja e një prej prodhuesëve më të mëdhenj në vend, e një fabrike në Miçigan, shkaktoi këtë krizë.
Zëri i Amerikës bisedoi me Lindsey Cates, e cila ka një djalë 1-vjeçar dhe që po vuan nga mungesa e qumështit artificial.
“Ne shkonim nga një dyqan ushqimor në tjetrin dhe nuk gjenim. Bashkëshorti ime shkonte nga një farmaci tek tjetra për të parë nëse mund të gjenim më shumë”, tregon ajo.
Tani shumë nëna kanë marrë një vendim drastik duke blerë në rrjetet sociale qumësht gjiri nga të huajt.
Heather Christian nga Minesota është nënë e 5 fëmijëve. Vajza e saj më e vogël, Izabelle është vetëm 6 javëshe. Heather shet qumështin e saj të gjirit. Ajo i tregoi Zërit të Amerikë se një klient mesatarisht shpenzon 50 dollarë në javë.
“Nuk mund të shkosh të blesh qumësht artificial sepse nuk ka. Çfarë do të bënit ju për të ushqyer fëmijën tuaj?” pyet ajo.
Fabrika që prodhon qumësht artificial në Miçigan është rihapur. Po ashtu administrata Biden aktivizoi “Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes” për të përdorur avionë ushtarakë për të transportuar nga Australia miliona shishe me qumësht artificial për foshnjat.
Por ekspertët paralajmërojnë se prindërit në SHBA do të vazhdojnë të përballen me mungesa pavarësisht masave të marra.
Amy David, e cila jep mësime për menaxhimin e zinxhirit të furnizimit në universitetin “Purdue”, parashikon se mungesat do të vazhdojnë deri në shtator.
“Ne e dimë gjithashtu se disa nga përbërësit e përdorur në qumështin artificial do të jenë gjithnjë e më të vështirë për t’u siguruar, për shkak të ngjarjeve të tjera, që po ndodhin në botë, siç është varësia nga vaji i lulediellit nga Ukraina”, thotë ajo.
Ndërkohë mjekët po i paralajmërojnë prindërit që të mos përgatisin qumësht bazuar në recetat që i gjejnë në internet.