Komisioni për ngjarjet e 6 janarit fillon seancat publike

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit do të mbajë të enjten seancën e parë ku do të paraqesë përfundimet e shumëpritura paraprake që komisioni filloi t’i mbledhë vitin e kaluar.

Shtatë demokratët dhe dy republikanët e panelit prej nëntë anëtarësh shpresojnë të tërheqin vëmendjen e publikut amerikan me seancat që do të trasmetohen në televizion dhe të sjellin një tablo të plotë të ngjarjeve të dhunshme të asaj dite, ndërkohë që disa janë përpjekur ta minimizojnë sulmin.

Ata gjithashtu do të përdorin informacionin e mbledhur nga mbi 1000 intervista për të përcaktuar se cilët persona luajtën role kryesore në atë ditë dhe për të vëtetuar se ngjarjet ishin një përpjekje e qëllimshme dhe e pashembullt për të bllokuar çertifikimin e fitores së presidentit Joe Biden.

Komisioni do ta strukturojë informacionin masiv që ka mbledhur duke e ndarë në tema të veçanta, nga ekstremizmi i brendshëm, te dështimet e sigurisë e deri tek veprimet e ish-presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë atë ditë, ndërsa qindra mbështetës të tij shtynë brutalisht forcat e policisë dhe hyjnë me forcë në Kapitol.

Të enjten Komisioni do të paraqesë një përmbledhje të hetimit dhe një pasqyrë paraprake të seancave të mëtejshme. Ai do të trajtojë gjithashtu temën e ekstremizmit të brendshëm dhe do të dëgjojë dëshminë e regjisorit britanik Nick Quested, i cili xhiroi anëtarët e grupit ekstremist të djathtë Proud Boys teksa sulmonin ndërtesën si dhe dëshmi të oficeres së policisë së Kapitolit, Caroline Edwards, një nga personat e parë që u plagosën në trazira.

SI U ARRIT DERI TEK SEANCAT

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve u ngrit verën e kaluar pasi republikanët e Senatit bllokuan formimin e një komisioni të pavarur për 6 janarin, me përfaqësim të barabartë nga republikanët dhe demokratët, që do të vepronte jashtë Kongresit.

Kur ai propozim dështoi, kryetarja Nancy Pelosi krijoi një panel të udhëhequr nga demokratët për të hetuar sulmin. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi formimin e komisionit në qershor 2021 dhe ai filloi punën brenda pak javësh.

Dy republikanët e Komisionit për 6 janarin – ligjvënësja nga Uajoming, Liz Cheney dhe ligjvënësi i Ilinoisit, Adam Kinzinger, të dy kritikë të ish-presidentit Trump – u bënë pjesë e komisionit me ftesë të zonjës Pelosi. Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy i tërhoqi të gjithë anëtarët e tij nga paneli pasi zonja Pelosi refuzoi disa anëtarë që ai zgjodhi.

Zonja Cheney, nënkryetarja e panelit, dhe zoti Kinzinger u bashkuan me demokratët në hetim, duke thënë se detyra e tyre për të hetuar, del mbi përkatësinë partiake. Republikanë të tjerë e dënojnë hetimin si një përpjekje tjetër politike për të sulmuar zotin Trump.

NDIKIMET POLITIKE

Seancat mund të jenë politikisht të rrezikshme për demokratët, të cilët përballen me rivalitet të ashpër nga republikanët në zgjedhjet për në Kongres në nëntor. Ndërsa shumë votues janë më të shqetësuar për inflacionin, arsimin apo çështje të tjera të politikës së brendshme, demokratët e komisionit - përfshirë disa që përballen me gara të vështira për rizgjedhje këtë vjeshtë - thonë se shpresojnë që njerëzit të mos e harrojnë atë që ndodhi më 6 janar.

Përpjekja për të përmbysur demokracinë nuk ka marrë fund, argumentojnë ata, pasi shumë amerikanë ende besojnë pa bazë se zoti Trump fitoi zgjedhjet dhe disa shtete në mbarë vendin kanë marrë masa për të zëvendësuar zyrtarët zgjedhorë dhe politikanët që konfirmuan fitoren e presidentit Biden.

Dhe ish-presidenti Trump, i cili u tha përkrahësve të tij të "luftojnë furishëm" në një tubim në mëngjesin e ditës së sulmit, po shqyrton mundësinë të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë.

Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin nga Merilendi, një anëtar i komisionit, tha të martën se treguesi i suksesit do të jetë "nëse do të jemi në gjendje të ruajmë demokracinë amerikane dhe institucionet tona - është një provë afatgjatë."

CILËT DO TË JENË DËSHMITARËT

Komisioni nuk i ka shpallur ende temat e seancave dëgjimore apo gjithë emrat e dëshmitarëve. Por ata pritet të kërkojnë dëshmi publike nga dëshmitarët që dhanë informacion kritik në intervistat me dyer të mbyllura. Mes tyre pritet të jenë ish-këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së zotit Trump, të cilët kanë bashkëpunuar me hetimet dhe të tjerë që kanë folur për trysni nga ana e zotit Trump ndaj autoriteteve shtetërore dhe federale për të përmbysur zgjedhjet.

Komisioni ka komunikuar me një grup zyrtarësh të Departamentit të Drejtësisë së presidencës së zotit Trump, përfshirë Jeffrey Rosen, ushtruesin e detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në kohën e trazirave, për t'i thirrur si dëshmitarë, sipas një personi që ka dijeni për çështjen që pranoi të fliste në kushtet e anonimitetit, për të diskutuar bisedat private.

Komisioni ka biseduar me dhjetëra ndihmës dhe aleatë të zotit Trump, por disa nga figurat më të njohura që ishin të afërt me zotin Trump atë ditë - veçanërisht ish-shefi i tij i personelit Mark Meadows, kanë refuzuar të paraqiten para komisionit, pas ndërprerjes së negociatave mes ligjvënësve nga kampet e kundërta. Edhe zoti McCarthy nuk ka pranuar të bashkëpunojë.

Komisioni i dërgoi kërkesë me detyrim paraqitjeje zotit tMcCarthy dhe katër republikanëve të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve që kishin komunikuar me zotin Trump dhe Shtëpinë e Bardhë para dhe gjatë sulmit, por ata deri tani kanë refuzuar të binden.

ÇËSHTJET E HETUARA

Komisioni e ndau hetimin në tema të ndryshme sipas së cilave janë organizuar seancat.

Një grup ka shqyrtuar përgjigjen e qeverisë, përfshirë vonesat në ndërhyrjen e Gardës Kombëtare dhe vështirësitë që hasi Policia e Kapitolit, të cilët ishin të mbingarkuar ndërsa mbërrinin protestuesit. Një ekip tjetër ka analizuar donatorët që ndihmuan në financimin e ngjarjeve të ditës. Subjektet e tjera të hetimit përfshijnë ata që organizuan tubimin e 6 janarit, veprimet e Departamentit të Drejtësisë, rolin e ekstremizmit të brendshëm dhe përhapjen e dezinformatave në mediat sociale.

Një nga ekipet hetimore është përqëndruar tek ish-presidenti Trump dhe ata që u përpoqën ta ndihmonin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Secili nga nëntë anëtarët e komisionit do të drejtojë pjesë të ndryshme të seancave. "Publiku do të dëgjojë nga secili prej nesh," tha ligjvënësi demokrat Pete Aguilar, anëtar i panelit.

PËRGJIGJA E PARTISË REPUBLIKANE

Republikanët po i kundërshtojnë seancat që pa filluar duke e quajtur komisionin partiak dhe duke argumentuar se demokratët janë të përqëndruar në përparësi të gabuara.

"Ata po përpiqen të zhvendosin vëmendjen, duke shpresuar që vendi të përqendrohet tek gjuetia e shtrigave në vend të mirëqenies së amerikanëve," u tha gazetarëve të mërkurën kryetarja e konferencës së Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Elise Stefanik.

Ligjvënësi republikan Jim Jordan nga Ohajo tha se qëllimi i demokratëve është "t'i japin fund sistemit të Kolegjit Zgjedhor dhe të ndalojnë Presidentin Trump të kandidojë në 2024. Kjo është e qartë dhe e thjeshtë".

NUK ËSHTË PROCES PENAL

Kongresi nuk ka kompetenca për të ngritur akuza, kështu që seancat nuk kanë për qëllim ndjekjet penale. Por anëtarët e panelit kanë inkurajuar Departamentin e Drejtësisë që të hetojë sulmin.

Ligjvënësit kanë folur gjithashtu për mundësinë e një referimi penal në Departamentin e Drejtësisë duke rekomanduar që individë të caktuar – ndoshta edhe zoti Trump – të ndiqen penalisht. Një referim i tillë do t’i vinin në qendër të vëmendjes Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland dhe prokurorët e tij.

Megjithëse objekti i hetimit të departamentit mbetet i paqartë, së fundmi ky departament lëshoi një fletë-thirrje të detyruar ligjore për ish-këshilltarin e zotit Trump, Peter Navarro, që mund të sinjalizojë se Departamenti i Drejtësisë po zgjeron hetimin për të shqyrtuar aktivitetet dhe të dhënat e personave që punonin drejtpërdrejt për presidentin republikan. Departamenti lëshoi më parë fletë-thirrje për personat e lidhur me sulmin e 6 janarit dhe tubimet në Uashington që i paraprinë dhunës.