Ukraina: Trupat po bëjnë qëndresë në Sievierodonetsk, ndërsa përparojnë në jug

Trupat ukrainase thanë të enjten se kishin shënuar përparime në luftimet e ashpra në qytetin lindor të Sievierodonetskut. Por ata thanë se shpresa e tyre e vetme, për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve në terren, ishte furnizimi me artileri për t'u përballur me fuqinë masive të zjarrit që zotëron Rusia.

Në jug, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se kishte arritur të rimerrte kontrollin e një zone falë një kundërsulmi në provincën Kherson, kundërsulm që kishte në shënjestër rajonin më të madh që Rusia ka pushtuar, që nga fillimi i sulmit në muajin shkurt.

Beteja mes rrënojave të Sievierodonetskut, një qytet i vogël industrial, është shndërruar në një nga më të përgjakshmet e këtij konflikti. Rusia ka përqendruar forcat e saj në këtë zonë. Palët pretendojnë t’i ketë shkaktuar një numër të madh viktimash kundërshtarit.

Sievierodonetsku dhe qyteti Lysychanskun, që shtrihet në anën tjetër të lumit Siverskyi Donets, janë zonat e fundit të provincës Luhansk që kontrollohen nga ukrainasit, pushtimi i të cilave është një nga objektivat e kryesore të Moskës.

Në një përditësim të rrallë nga Sievierodonetsku mbi zhvillimet në terren, komandanti i Batalionit të Gardës Kombëtare Svoboda Petro Kusyk, tha se ukrainasit po i tërheqin rusët në luftime në rrugë si një mënyrë për të mposhtuar epërsinë që ka në Rusia në armatime.

Por ai shtoi se forcat ukrainase po vuanin nga një mungesë "tejet e madhe" e artilerisë së rëndë. Pajisja me armë të tilla do të ndryshonte zhvillimet në terren tha ai.

Kryebashkiaku i Sievierodonetskut Oleksandr Stryuk tha të enjten se rreth 10,000 civilë ishin bllokuar brenda qytetit, rreth një e dhjeta e popullsisë që kishte qyteti përpara fillimit të luftës.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit, Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se në Sievierodonetsk po vendosej fati i rajonit të Donbasit. Ai tha se në këtë zonë po zhvillohej "një betejë tejet e ashpër, ndoshta një nga më të vështirat e gjithë luftës”.