Kryeministri britanik Boris Johnson i mbijetoi një mocioni mosbesimi nga partia e tij të hënën në mbrëmje, por kërcënimet politike ndaj udhëheqjes së tij nuk janë zhdukur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell i hedh një vështrim sfidave e mbetura politike të kryeministrit britanik.
Your browser doesn’t support HTML5
Spekulimet disa mujore rreth sfidave politike të kryeministrit britanik Boris Johnson kulmuan me një votim nga ligjvënësit e tij konservatorë të hënën në mbrëmje.
“Me 211 vota pro dhe 148 kundër, Boris Johnson ka marrë besimin për të udhëhequr vendin”, tha Graham Brady, zyrtar i partisë konservatore, duke shpallur rezultatet e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit.
Njoftimi u prit me brohoritje nga besnikët e kryeministrit Johnson, i cili shprehu kënaqësinë me rezultatin e votimit.
“Mendoj se është një rezultat jashtëzakonisht i mirë, pozitiv, përfundimtar, i cili na mundëson të ecim përpara, të bashkohemi dhe të përqendrohemi në punën tonë.”
Kryeministri Johnson i mbijetoi mocionit të mosbesimit, por mbi 40 për qind e deputetëve të partisë së tij duan që ai të largohet nga detyra.
“Ky është me të vërtetë një rezultat mjaft i keq për kryeministrin dhe kjo do të thotë që në vazhdim, mbijetesa e kryeministrit do të jetë gurthemeli i kësaj qeverie”, thotë Anand Menon, profesor i Politikave Evropiane në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Boris Johnson i dha Partisë Konservatore një shumicë dërrmuese prej 80 vendesh në zgjedhjet e vitit 2019, duke premtuar përfundimin e procesit të daljes nga Bashkimi Evropian.
Sondazhet tregojnë se popullariteti i tij ka rënë. Javën e kaluar një pjesë e turmës së mbledhur për 70 vjetorin e ardhjes në fron të Mbretëreshës Elizabeth, shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj kryeministrit Johnson dhe bashkëshortes së tij. Pra, çfarë shkoi keq?
Ai është kryeministri i parë britanik që dënohet për shkelje të ligjit gjatë kohës që ishte në detyrë, pas hetimeve të policisë mbi festat e mbajtura në rezidencën e kryeministrit gjatë pandemisë së COVID-19. Johnson u kishte thënë më parë deputetëve se nuk ishin mbajtur festa të tilla.
“Një numër deputetësh të partisë së tij thanë se votuan kundër tij, pikërisht sepse ai kishte gënjyer parlamentin. Së dyti, të njëjtët deputetë kanë parë rënien e madhe të popullaritetit të kryeministrit”, thotë profesor Anand Mennon.
Problemet e kryeministrit janë më të thella.
"Ai ndeshet me problemin e shkeljeve të lidhura me organizimin e festave, mendimin nga një pjesë e ligjvënësve të partisë së tij se ai nuk ka një plan koherent për qeverinë dhe faktin se Partia Konservatore është e përçarë", thotë profesor Menon.
Historikisht, kryeministrat britanikë që janë ndeshur me pakënaqësi të mëdha brenda partisë nuk kanë arritur të qëndrojnë gjatë në detyrë, përfshirë udhëheqësit e njohur Margaret Thatcher, John Major dhe Theresa May, e cila u zëvendësua nga zoti Johnson.
"Boris Johnson ka një avantazh të lehtë pasi nuk ka dalë ndonjë pasardhës i qartë", thotë profesor Menon.
Mbështetësit e kryeministrit thonë se ai i ka marrë vendime të drejta për çështje të mëdha, si mbështetja ushtarake për Ukrainën, zbatimi i rezultatit të referendumit për Brexit-in dhe prezantimi i shpejtë i vaksinës kundër COVID-19.
Por kritikët e tij thonë se ai tani është kthyer në një barrë politike dhe thirrjet për dorëheqjen e tij nuk ka gjasa të shuhen.