Kryeministri britanik Johnson i mbijeton mocionit të mosbesimit

Kryeministri britanik Boris Johnson arriti t’i mbijetojë një mocioni mosbesimi, duke siguruar mbështetje të mjaftueshme në partinë e tij për të qëndruar në detyrë pavarësisht revoltës së zemëruar brenda konservatorëve të partisë së tij që ka të ngjarë ta dobësojë atë si udhëheqës dhe të ngjallë pasiguri për të ardhmen e tij.

Zoti Johnson ishte përballur me muaj të tërë me vështirësi për të lënë pas skandalet për shkeljen e rregullave, në veçanti për festat në godinat qeveritare gjatë masave izoluese për COVID-19.

Ai fitoi mbështetjen e 211 prej 359 ligjvënësve konservatorë, më shumë se shumica e thjeshtë e nevojshme prej 180 votash për të mbetur në pushtet, por gjithsesi numri i atyre që votuar për ta rrëzuar, 148 ligjvënës, ishte i konsiderueshëm.

Fitorja e tij do të thotë se ndaj tij nuk mund të ngrihet një sfidë tjetër brenda partisë për një periudhë njëvjeçare.

Duke qenë se nuk kishte ndonjë kandidaturë të spikatur për ta pasuar atë, shumica e vëzhguesve politikë kishin parashikuar se ai do ta fitonte votëbesimin.

Por vetë fakti që partia e tij e mbështeti mbajtjen e votëbesimit, është një shenjë e ndasive të thella mes konservatorëve, më pak se tre vjet pasi zoti Johnson e udhëhoqi partinë drejt fitores më të madhe zgjedhore në dekada.

Mekanizmi i votëbesimit aktivizohet në rast se 15% e grupit të ligjvënësve konservatorë e kërkojnë votimin me shkrim. Zyrtari i partisë Graham Brady kishte marrë njoftim me shkrim nga një numër i mjaftueshëm ligjvënësish dhe mori vendimin për votimin e së hënës.

"Pragu prej 15% i grupit parlamentar që parashikon votim besimi për kryeministrin është kaluar. Prandaj, votimi do të zhvillohet sipas rregullave parlamentare të partisë", tha Graham Brady, zyrtar i grupit parlamentar konservator.

Zoti Brady shtoi se kishte njoftuar Kryeministrin Johnson, i cili ishte shprehur dakord që votimi të organizohej sa më parë.

Disa prej ministrave kryesorë, ndër ta edhe ministrja e jashtme Liz Truss, kishin shprehur mbështetjen për Kryeministrin Johnson, duke vënë madje në dukje arritjet e tij që rezultuan me dhënien fund të kufizimeve për pandeminë dhe vaksinimin masiv të popullsisë.

Pas publikimit të një raporti për shkeljen e rregullave gjatë periudhës së masave izoluese për COVID-in, zoti Johnson ishte shprehur se duhej të vazhdohej puna duke u përqëndruar në përgjegjësi të tjera, si tek lufta në Ukrainë dhe rritja e kostos së jetesës në Britani.