Rusia fajësoi perëndimin për anulimin e një vizite të ministrit të saj të Jashtëm, Sergey Lavrov në Beograd, pasi vendet përreth Serbisë mbyllën hapësirën ajrore për avionin e ministrit rus.
Your browser doesn’t support HTML5
Shefi i diplomacisë ruse e cilësoi të pashembullt vendimin e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Malit të Zi, që të mos lejojnë kalimin e avionit të tij nëpër hapësirën e tyre ajrore.
"E di se do të ketë shumë shpjegime, të cilat ne nuk i kemi dëgjuar ende. Vendet që kanë mohuar fluturimin do të thonë se kanë marrë një urdhër nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Ato ndërkaq do thonë se këto vende kanë vendosur vet”, tha ai në një konferencë më gazetarë.
Ministri Lavrov tha se askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë, ku kishte planifikuar siç tha, takime të dobishme për sot dhe nesër.
“Sidoqoftë, këto marrëdhënie nuk do të zhduken nga kanalet e tjera. Ne ftuam ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, të vizitojë Moskën brenda një kohe të shkurtër. Shpresoj që avioni i tij të mos sanksionohet në mënyrë të turpshme nga Brukseli i paturpshëm. dhe klientët e tij”, tha ministri Lavrov.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili u takua të hënën paradite me ambasadorin e Rusisë në Serbi, tha se në mbrëmje do t’i drejtohet opinionit serb për këtë çështje.
Ndërsa lajmi për anulimin e vizitës po dilte në dritë, disa protestues u mblodhën para selisë së presidentit Vuçiç, në shenjë proteste kundër saj. Grupi i vogël i protestuesve mbante parulla në të cilat thuhej se ministri Lavrov e ka vendin në Hagë, ku ndodhet selia e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
“Sot Serbia ka arsye të festojë, sepse avokati i krimeve të luftës, përfaqësuesi i propagandës së krimeve të luftës, përfaqësuesi i një agresioni mbi shtetin sovran të Ukrainës, nuk ka mbërritur në Beograd, falë mbështetjes që po ofrojnë vendet fqinje, për popullin e lirë të Serbisë”, tha Çedomir Stojkoviç, një protestues.
Por ndryshe mendojnë një pjesë e kalimtarëve në Beograd.
"Sigurisht duhej të kishte ardhur. Ai gjithmonë na ka ndihmuar ne dhe Serbinë", tha ndërkaq, një banor i Beogradit që u identifikua vetëm më mbiemrin Filipoviç.
Paralajmërimi i vizitës së ministrit rus pasoi dakordimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç me presidentin rus Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia.
Lexoni edhe këtë Ministri i Jashtëm rus javën e ardhshme në BeogradPresidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Serbia ka ritheksuar shpesh se mbështetja e Rusisë është e rëndësishme për shkak të kundërshtimit të saj ndaj pavarësisë së Kosovës.