Lufta elektronike i jep formë betejës Rusi-Ukrainë

KIEV Ukrainë (AP) - Në fushat e betejës në Ukrainë, akti i thjeshtë i ngarkimit të një celulari mund të sinjalizojë një breshëri vdekjeprurëse nga qielli. Radarët e artilerisë dhe telekomandat për mjetet ajrore pa pilot mund të shkaktojnë gjithashtu sulme ajrore të armikut.

Kjo është një luftë elektronike, një aspekt kritik, por kryesisht i padukshëm i betejës së Rusisë kundër Ukrainës. Komandantët ushtarakë kryesisht shmangin diskutimin e tij, nga frika se do të rrezikojnë operacionet duke zbuluar sekrete.

Teknologjia e luftës elektronike synon sistemet e komunikimit, navigimit dhe udhëzimit për të lokalizuar, verbuar dhe mashtruar armikun dhe goditjet e drejtpërdrejta vdekjeprurëse. Ajo përdoret kundër artilerisë, avionëve luftarakë, raketave të lundrimit, dronëve dhe pajisjeve të tjera. Ushtritë e përdorin atë gjithashtu për të mbrojtur forcat e tyre.

Është një fushë ku Rusia mendohej se kishte një avantazh të qartë në fillim të sulmit në Ukrainë. Megjithatë, për arsye jo plotësisht të qarta, aftësia e saj e shumëpërfolur e luftës elektronike mezi u pa në fazat e hershme të luftës në dështimin kaotik për të marr kontrollin e kryeqytetit ukrainas të Kievit.

Lufta elektronike është bërë shumë më tepër një faktor në luftimet e ashpra në Ukrainën lindore, ku linjat e furnizimit më të shkurtra dhe më të lehta për t'u mbrojtur, i lejojnë Rusisë të lëvizë pajisjet e luftës elektronike më pranë fushës së betejës.

"Ata po bllokojnë gjithçka që sistemet e tyre mund të arrijnë," tha një zyrtar i Aerorozvidkas, një ekip zbulimi ukrainas i mjeteve ajrore pa pilot, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve të sigurisë. “Nuk mund të themi se ata dominojnë, por na pengojnë shumë”.

Një zyrtar i zbulimit ukrainas e quajti kërcënimin rus të një shkalle "shumë të rëndë" kur bëhet fjalë për ndërprerjen e përpjekjeve të zbulimit dhe komunikimit të komandantëve me trupat. Bllokimi rus i rrjetit GPS në dronët që Ukraina përdor për të lokalizuar armikun dhe për të drejtuar zjarrin e artilerisë është veçanërisht intensiv "në vijën e kontaktit", tha ai.

Ukraina ka shënuar disa suksese në kundërshtimin e përpjekjeve të luftës elektronike të Rusisë. Ajo ka kapur pjesë të rëndësishme të pajisjeve dhe ka shkatërruar të paktën dy njësi të luftës elektronike të lëvizshme me shumë automjete.

Kapacitet e saj të luftës elektronike është e vështirë të vlerësohen. Analistët thonë se janë përmirësuar dukshëm që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe nxiti një revoltë separatiste në Ukrainën lindore. Por ka pengesa. Javën e kaluar, Rusia pretendoi se shkatërroi një qendër elektronike të zbulimit ukrainas në qytetin juglindor Dniprovske. Pretendimi nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur dhe zyrtarët ukrainas nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Ukraina gjithashtu ka përdorur me efikasitet teknologjinë dhe të dhënat e zbulimit nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s. Një informacion i tillë ndihmoi Ukrainën të fundoste kryqëzorin Moskva. Satelitët e aleatëve dhe avionët e vëzhgimit ndihmojnë nga qiejt, ashtu si edhe rrjeti i komunikimit satelitor Starlink i dhuruar nga miliarderi Elon Musk.

Lufta elektronike ka tre elemente bazë: hulumtimin, sulmin dhe mbrojtjen. Së pari, mblidhen të dhënat e zbulimit duke lokalizuar vendndodhjen e sinjaleve elektronike të armikut. Në sulm, bllokimi përmes "zhurmës së bardhë" çaktivizon dhe degradon sistemet e armikut, duke përfshirë komunikimet me radio dhe celularë, mbrojtjen ajrore dhe radarët e artilerisë. Pastaj vjen procesi i mashtrimit, i cili ngatërron dhe mashtron sinjalet. Kur funksionon, predhat humbasin objektivat e tyre.

"Të operosh në një fushë beteje moderne pa të dhëna është vërtet e vështirë," tha Kolonelja në pension Laurie Buckhout, një ish-shefe e luftës elektronike të Ushtrisë Amerikane. Bllokimi "mund të verbojë dhe të shurdhojë një avion shumë shpejt dhe shumë rrezikshëm, veçanërisht nëse humbet rrjetin GPS dhe radarin dhe ke një avion që fluturon me 600 milje në orë".

E gjithë kjo shpjegon fshehtësinë rreth luftës elektronike.

“Është një fushë tepër e klasifikuar sepse është shumë e varur nga teknologjitë e evoluuara, të avancuara, ku përfitimet mund të kopjohen dhe fshihen shumë shpejt,” thotë James Stidham, një ekspert i sigurisë së komunikimit që është konsulent për departamentet e Shtetit dhe Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Ukraina mori mësime të vështira për luftën elektronike në 2014 dhe 2015, kur Rusia përdori fuqishëm aftësitë e saj kibernetike ndaj forcave ukrainase. Rusët rrëzuan dronët nga qielli dhe çaktivizuan armatime, depërtuan në rrjetet e telefonave celularë për operacione psikologjike dhe bllokuan paisjet ukrainase.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu përjetuan luftën elektronike të Rusisë në veprim në Siri, ku kundërshtarët kanë mbështetur palë kundërshtare në luftën civile. Në vitin 2018, shefi i Operacioneve Speciale të SHBA-së, gjenerali Raymond Thomas, shpjegoi se si komunikimet e pilotëve amerikanë u "ndërprenë" rregullisht në Siri në mjedisin "më agresiv" të luftës elektronike në planet.

Në betejën aktuale, lufta elektronike është kthyer në një teatër të furishëm grindjesh.

Aerorozvidka ka modifikuar dronët e pajisur me kamera për të identifikuar pozicionet e armikut dhe për të hedhur mortaja dhe granata. Hakerimi përdoret gjithashtu për të çaktivizuar elektronikën e armikut dhe për të mbledhur të dhëna zbulimi.

Zyrtarët ukrainas thonë se aftësitë e tyre të luftës elektronike janë përmirësuar shumë që nga viti 2015. Ato përfshijnë përdorimin e pajisjeve të koduara amerikane dhe turke të komunikimit. Ukraina ka avancuar aq shumë saqë eksporton një pjesë të teknologjisë së saj.

Rusia është angazhuar në bllokimin e rrjetit GPS nga Finlanda e deri në Detin e Zi, tha nënkoloneli Tyson Wetzel, një bashkëpunëtor i Forcave Ajrore në Këshillin Atlantik. Një transportuesi rajonal finlandez, Transaviabaltica, iu desh të anulonte fluturimet për një javë si rezultat i këtij veprimi. Bllokimi rus ka ndërprerë gjithashtu transmetimin e televizionit ukrainas, tha Frank Backes, një zyrtar i lartë me kompaninë Kratos Defense me bazë në Kaliforni, e cila ka stacione tokësore satelitore në rajon.

Megjithatë, në ditët e para të betejës, përdorimi i luftës elektronike nga Rusia ishte më pak efektiv se sa pritej. Kjo mund të ketë kontribuar në dështimin e saj për të shkatërruar mjaft njësi radarësh dhe anti-ajrore për të fituar epërsi ajrore.

Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë artikull.

Disa analistë besojnë se komandantët rusë nuk i përdorën njësitë e pajisjeve teknologjike nga frika se do të kapeshin.

Problemet e komunikimit ishin të dukshme me shumë trupa ruse që flisnin në kanale radioje të hapura dhe të pasigurta, të monitoruara lehtësisht nga të huajt.

Është e paqartë se sa avantazh mund të ofrojnë tani pajisjet elektronike të Rusisë. Forcat e Ukrainës tani janë më të përqendruara se në fillim të luftës, gjë që mund t'i bëjë më të lehta për t'u shënjestruar.

Shumë varet nëse grupet taktike të batalionit të Rusisë "janë të konfiguruara në realitet ashtu siç janë në letër", tha James Rands, i zbulimit ushtarak. Çdo grup, i përbërë nga afërsisht 1000 trupa, supozohet të ketë një njësi të luftës elektronike. Pentagoni thotë se në Ukrainë janë 110 grupe të tilla.

Kremlini gjithashtu pretendon se ka më shumë se 1,000 mjete ajrore të vogla, të gjithanshme Orlan-10 që përdor për zbulimin, shënjestrimin, bllokimin dhe përgjimin e celularëve.

Rusia ka humbur rreth 50 nga pajisjet Orlan-10 në këtë luftë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania furnizojnë gjithashtu pajisje bllokimi, por është e paqartë sa ndihmojnë ato. Asnjë vend nuk ka ofruar detaje. Aftësia e të dyja palëve për të çaktivizuar dronët e tjetrit është thelbësore.

Sistemi Starlink i Elon Musk-ut është një pajisje e provuar të ketë dhënë ndihmë. Më shumë se 2,200 satelitët e tij me orbita të ulëta ofrojnë internet me bazë të gjerë për më shumë se 150,000 stacione tokësore të Ukrainës. Ndërprerja e këtyre lidhjeve është një sfidë për Rusinë. Është shumë më e vështirë të bllokosh satelitët në orbitën e ulët të tokës sesa ato gjeostacionare.

Elon Musk ka marrë lëvdata nga Pentagoni për të paktën mposhtjen përkohësisht të bllokimit rus të lidhjeve të satelitëve ukrainas me një përshtatje të shpejtë të programeve kompjuterike.