Shqetësimet e sigurisë bllokojnë disa të evakuuar afganë në Kosovë

Për disa afganë të cilët u evakuuan pasi vendi i tyre ra në duart e talebanëve verën e kaluar, udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara ka ngecur dhe ndoshta ka përfunduar në një grup tendash të pjekura nga dielli dhe banesa të përkohshme në një bazë amerikane në Ballkan.

Ndërsa më shumë se 78,000 afganë kanë arritur në SHBA që nga gushti i vitit të kaluar, e ardhmja për ata që janë në procesin e verifikimit shtesë të sigurisë dhe janë dërguar në kampin Bondsteel në Kosovë, mbetet pezull. Shtetet e Bashkuara nuk do t'i detyrojnë ata të kthehen në Afganistan, ku mund të përballen me reprezalje.

Zhgënjimi i tyre po rritet. Agjencia e lajmeve Associated Press siguroi fotografi ku shihen disa afganë në bazën që është mbuluar me vello të fshehtësisë, që kanë ndërmarrë hapin e pazakontë këtë javë duke organizuar një protestë dhe duke mbajtur pankarta me mesazhe të tilla si "ne duam drejtësi".

"Ata thjesht vazhdojnë të përsërisin të njëjtat gjëra, se kërkon kohë dhe ne duhet të jemi të durueshëm", tha një nga afganët, Muhammad Arif Sarwari, në një mesazh dërguar nga baza.

Autoritetet amerikane dhe qeveria e Kosovës, kanë hezituar të thonë shumë për njerëzit e dërguar në Bondsteel.

Baza strehon të rritur dhe fëmijë, sepse disa nga ata që deri tani nuk kanë arritur të marrin një vizë për në SHBA po udhëtojnë me familjet. Muhammad Arif Sarëari, një ish-zyrtar i lartë i zbulimit në qeverinë afgane, tha se atje janë rreth 45 persona, që përfaqësojnë rreth 20 raste individuale të vizave. Një grup prej 27 refugjatësh fluturoi të mërkurën drejt Shteteve të Bashkuara.

Administrata e presidentit Joe Biden nuk do të japë hollësi, por pranon se disa nga të evakuuarit nuk ia dolën të kalojnë përmes atij që e quan "një proces shqyrtimi dhe verifikimi të rreptë dhe me shumë shtresa” dhe nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA.

“Ndërsa shumica dërrmuese e evakuuarve afganë kanë kaluar përmes këtij procesi, një numri i vogël i individëve që nuk kanë kaluar janë shembuj të sistemit që funksionon saktësisht siç duhet”, tha Sean Savett, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Gjithsej rreth 600 afganë kanë kaluar nëpër Bondsteel, sipas qeverisë së Kosovës, e cila fillimisht autorizoi qëndrimin e të evakuuarve për një vit, por së fundmi ra dakord ta zgjasë atë deri në gusht të vitit 2023.

Kosova, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e SHBA-së, gjithashtu ka dhënë pak informacion për afganët në Bondsteel, duke përmendur privatësinë e refugjatëve. Kryeministri Albin Kurti tha në një deklaratë se qeveria është krenare për rolin e saj në sigurimin e strehimit të përkohshëm për ta.

Afganët janë vendosur në një seksion të kampit Bondsteel të quajtur Kampi Liya, me emrin e një fëmije afgan që iu dorëzua marinsave amerikanë në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul gjatë evakuimit.

Ishte natyra kaotike e atij evakuimi që çoi në nevojën për struktura të tilla si ajo në Kosovë. Ndërsa qeveria afgane u rrëzua, mijëra njerëz hipën në avionët transportues ushtarak duke iu nënshtruar një kontrolli minimal përpara se të arrinin në një nga disa zonat kalimtare.

Të evakuuari u dërguan në vende si kampi Bondsteel për një sërë arsyesh, duke përfshirë dokumente të humbura ose të dëmtuara, apo shqetësime sigurie që u shfaqën gjatë verifikimit nga FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, kanë thënë zyrtarët.

Në të njëjtën kohë, në Kongres pati kritika ndaj administratën për atë që thuhet të ketë qenë verifikimi i pamjaftueshëm i refugjatëve afganë.

Zoti Sarwari shkoi në Kuvajt nga Afganistani në fillim të shtatorit me gruan dhe dy vajzat e tij dhe thotë se nuk e di pse është duke u mbajtur në kamp. Ai ishte një personalitet i shquar në Afganistan, duke shërbyer si ish-drejtor i zbulimit pas pushtimit të SHBA-së në vitin 2001. Para kësaj, ai ishte një zyrtar i lartë në Aleancën Veriore që luftonte kundër talebanëve.

Të dyja pozicionet do ta bënin atë një shënjestër të talebanëve nëse do të kthehej.

“Ekipi i verifikimit vazhdon të na thotë na vjen keq, Uashingtoni po vendos disa çështje politike”, tha ai.

Zoti Sarwari ka aplikuar për një vizë të veçantë emigrimi, e cila u lëshohet njerëzve që kanë punuar për qeverinë amerikane ose aleatët e saj gjatë luftës. Ai nuk ka marrë përgjigje, sipas avokates së tij, Julie Sirrs.

“Teorikisht, ai është i lirë të largohet, por nuk është e qartë se ku mund të shkojë”, tha avokatja Sirrs. “Ai padyshim nuk mund të kthehet në Afganistan. Ai është qartazi në rrezik nëse kthehet”.

Ai dhe të tjerët bëjnë një jetë të kufizuar në Bondsteel. Edhe pse teknikisht jo të ndaluar, ata nuk mund të largohen nga baza e thatë e shkëmbore dhe kanë kaluar muaj në tenda, të cilat ishin mbuluar me parulla të shkruara me dorë gjatë protestës së kësaj jave. Njëra thoshte "vendim i padrejtë", ndërsa një tjetër "fëmijët po vuajnë".

Administrata e presidentit Biden thotë se autoritetet kanë përcaktuar se disa, por pa e saktësuar se për sa veta behet fjalë, thjesht nuk mund të lejohen të hyjnë në SHBA. Administrata po punon për të gjetur vende të tjera që nuk i kanë të njëjtat shqetësime sigurie dhe janë të gatshëm t'i pranojnë ata. Askush nuk do të kthehet me forcë në Afganistan, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.