E mbijetuara e Luftës së Dytë Botërore tregon për sulmet ruse në Ukrainë 

Your browser doesn’t support HTML5

E mbijetuara e Luftës së Dytë Botërore tregon për sulmet ruse në Ukrainë

Galina Pashkevich, 86-vjeçare nga Kievi është një e mbijetuar e Luftës së Dytë Botërore. Pasi ka parë tmerret e kryera nga nazistët, ajo nuk kishte menduar se do të shihte më luftë, deri sa Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën.

Zonja Pashkevich u largua si shumë ukrainas të tjerë dhe me ndihmën e familjes së saj, ajo arriti në Shtetet e Bashkuara.

“U largova me një çantë shpine të vogël, pesë kilogramë. Mora të gjitha punimet e mia kërkimore, pasi unë jam diplomuar në Universitetin e Kievit në botanikë (Shkencë natyrore që studion bimët). Kam 250 botime dhe artikuj shkencorë, kam shkruar dymbëdhjetë libra”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.

Galina Pashkevich lindi në vitin 1936. Në vjeshtën e vitit 1941, nazistët arritën në Kiev; e ndërsa bombardimet kishin filluar më herët.

“Më kujtohet zhurma e bombave, zhurmat e lartë e avionëve, ishte shumë e frikshme. Nazistët i kalonin hebrenjtë përgjatë kësaj rruge. Unë dhe motra ime dëgjuam zhurmën dhe vrapuam të fshiheshim”, tregon më tej 86-vjeçarja.

Tani forcat ruse po bombardojnë Ukrainën. Pashkevich thotë se ajo nuk mund të ndalojë së qari, kur mendon për fëmijët ukrainas që duhet të luajnë jashtë, në vend që të fshihen në bodrume.

86-vjeçarja i tregoi Zërit të Amerikës edhe rrugën e vështirë për të arritur në Shtetet e Bashkuara.

“Dëgjonim shpërthime, sirenat binin. Ne duhet të fshihemi, por në vend të kësaj morëm makinën dhe u larguam. Na u deshën tre ditë për të arritur në kufi me Sllovakinë”, tregon 86-vjeçarja.

Zonja Pashkevich ende nuk mund ta besojë se Rusia është armiku i Ukrainës.

“Unë shkoja vazhdimisht në Moskë dhe Shën Petersburg, kolegët e mi rusë vinin në Kiev… Nuk mund ta imagjinoj se këta tani janë armiqtë tanë. Por kur sheh se çfarë bëjnë, çfarë u kanë bërë qyteteve dhe fshatrave tona, është e tmerrshme” thotë ajo.

Pashkevich thotë se ukrainasit janë bashkuar kundër armikut dhe kanë arritur një unitet, që sipas saj, do të ishte i vështirë të arrihej në kohë paqeje.

“Ne të gjithë besojmë në fitore. Ne besojmë se ky tmerr do të përfundojë, përmes vështirësive dhe humbjeve, përmes vuajtjeve, por do të marrë fund. Ukraina duhet të mbetet e lirë”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.