Drejtuesja e lartë e Facebook-ut Sheryl Sandberg jep dorëheqjen

Sheryl Sandberg

Sheryl Sandberg, drejtuesja e dytë më e lartë e Facebook-ut, që tani është në pronësi të kompanisë Meta, njoftoi të mërkurën dorëheqjen nga posti i saj. Zonja Sandberg ka ndihmuar në transformimin e Facebook-ut nga një kompani e vogël interneti në një gjigant të reklamave dixhitale, duke bartur gjithashtu fajin për disa nga gabimet më të mëdha në këtë rrugëtim.

Sandberg ka shërbyer si drejtore ekzekutive e operacioneve në gjigantin e mediave sociale për 14 vjet. Në vitin 2008, ajo u largua nga kompania Google për të filluar punën në Facebook, katër vjet përpara se platforma e mediave sociale të bëhej kompani publike. Kompania Meta nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Associated Press për koment.

Në një shkrim të zonjës Sandberg në faqen e saj të Facebook-ut thuhet: “Kur fillova këtë punë më 2008, shpresova që të qëndroja në këtë rol për pesë vjet. Katërmbëshjetë vjet më vonë, ka ardhur koha për të nisur një kapitull të ri në jetën time.”

Sheryl Sandberg ka udhëhequr biznesin e reklamave të Facebook-ut, që tani kontrollohet nga Meta dhe ishte përgjegjëse për transformimin e tij në një kompani të fuqishme me të ardhura vjetore prej mbi 100 miliardë dollarësh.