Guvernatori i rajonit të Donbasit tha se forcat ruse kontrollojnë tashmë 70 për qind të Sievierodonetskut, një qytet që konsiderohet kyç në përpjekjet e Moskës për të kapur pjesë të rajonit që nuk kontrollohen nga separatistët e mbështetur prej saj.
Në disa komente me shkrim për agjencinë e lajmeve "Associated Press" guvernatori i rajonit të Luhanskut Serhiy Haidai tha se nëpër qytet vazhdojnë luftimet.
Dhjetëra mijëra vetë janë larguar nga qyteti, me një popullsi prej rreth 100,000 mijë banorësh dhe megjithëse 90% e shtëpive janë dëmtuar, rreth 13,000 njerëz vazhdojnë ende të qëndrojnë aty.
Zoti Haidai vuri në dukje se Lysychansku, i vetmi qytet në rajonin e Luhanskut që nuk ka rënë ende në duart e rusëve, është plotësisht nën kontrollin e Ukrainës.
"Nëse rusët arrijnë të marrin kontrollin e plotë të Sievierodonetskut brenda dy apo tre ditësh, ata do të instalojnë artileri dhe mortaja e do të godasin me intensitet Lysychanskun", tha zoti Haidai.
Në një tjetër postim në Telegram të mërkurën, zoti Haidai vinte në dukje se një pjesë e trupave ukrainase janë tërhequr nga Sievierodonetsku.
“Evakuimi i civilëve nga qyteti është ndalur. Nuk ka asnjë mundësi për të sjellë ndihma humanitare”, shkruante ai.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij po humbet në luftime nga 60 deri në 100 ushtarë në ditë ndërsa 500 të tjerë rezultojnë të jenë plagosur.
Ai i tha kanalit televiziv amerikan "Newsmax" të martën në mbrëmje se "situata më e vështirë paraqitet në lindje të Ukrainës dhe në jug të Donetskut e Luhanskut".
Në Ukrainën jugore, guvernatori i rajonit të Mykolayivit Vitaliy Kim, njoftoi se trupat ruse po tërhiqen e paralelisht po hedhin në erë ura për të penguar një përparim të mundshëm të trupave ukrainase. Në një postim të mërkurën në aplikacionin Telegram ai tha se Rusia ndodhej tashmë në pozicione mbrojtëse.
"Ata i druhen një kundërsulmi nga ana e ushtrisë ukrainase", shkruante zoti Kim. Ai nuk specifikoi se ku po ndodhte tërheqja.
Pjesë të rajonit të Mykolayivit, që në ditët e fundit kanë qenë nën kontrollin e forcave ruse, ndodhen pranë qytetit të madh të Khersonit gjithashtu nën kontrollin e Moskës.
Në fjalimin e tij të martën në mbrëmje zoti Zelenskyy tha trupat e ukrainës kishin arritur të shënonin disa përparime në drejtim të Khersonit.