Tensionet po rriten midis Turqisë dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm turk paralajmëroi të martën se Ankaraja mund të sfidojë sovranitetin e ishujve grekë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, kërcënimi vjen në një kohë që të dyja palët po shtojnë praninë e tyre ushtarake në ujërat e kontestuara të Detit Egje.
Your browser doesn’t support HTML5
Tensionet mbi Detin Egje vazhdojnë të përshkallëzohen, ndërsa Turqia dhe Greqia akuzojnë njera tjetrën për shkelje të hapësirës ajrore me avionët luftarakë.
Deti është qendra e të drejtave territoriale të kontestuara.
Në fillim të këtij muaji, presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se, për të, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, “nuk ekziston më”. Komenti pasoi thirrjen që kryeministri Mitsotakis i bëri Kongresit amerikan që të bllokojë shitjet e pajisjeve ushtarake për Turqinë.
Ankaraja është e alarmuar nga programi i riarmatimit të Greqisë, që Turqia pretendon se po përqëndrohet në ishujt pranë saj.
“Ata blejnë pesë miliardë dollarë avionë luftarakë nga Franca, kryqëzorë të rinj, dhe gjithashtu helikopterë, pajisje ushtarke detare me një vlerë prej dhjetë miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, edhe avionë të rinj F-35. Në këto kushte Turqia thotë: “Çfarë po ndodh në ishujt grekë? A do të vendosin ata të sulmojnë Turqinë?”, argumenton për Zërin e Amerikës Mesut Casin, këshilltar i presidentit turk.
Riarmatimi i Greqisë vjen pasi Kongresi amerikan bllokoi përpjekjet e Turqisë për të blerë armë nga Shtetet e Bashkuara për shkak të shqetësimit për blerjen nga Ankaraja të një sistemi raketor rus. Analistët thonë se Ankaraja është e shqetësuar për ndryshimin e ekuilibrit të fuqisë midis të dy vendeve.
“Turqisë iu mohuan pajisjet moderne ushtarake për një sërë arsyesh. Ndërsa Greqia, po gëzon qasje të shtuar në armatime të tilla dhe kjo, natyrisht, do ta anojë situatën ushtarake në favor të Greqisë”, thotë për Zërin e Amerikës Serhat Guvenc me Universitetin Kadir Has.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu shtoi tensionet të martën, duke paralajmëruar se Turqia është gati të sfidojë sovranitetin e ishujve grekë dhe duke e akuzuar Athinën për shkeljen e një traktati ndërkombëtar, që përcakton se ishujt duhet të mbeten të çmilitarizuar. Por Greqia këmbëngul se po vepron për t’u vetëmbrojtur.
Athina po shpreh shqetësimin se Ankaraja mund të hapë kufijtë e saj për të lejuar refugjatët të hyjnë në Greqi, si dhe të shtojë presionin ushtarak mbi ishujt e saj në Detin Egje.
“Jemi mjaft kurioz se çfarë do të ndodh me çështjen e migracionit apo refugjatëve dhe cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Turqisë në lidhje me çështjen e sovranitetit të ishullit, militarizimin, manovrat ushtarake e kështu me radhë. Në këtë moment Greqia ka vendosur të vazhdojë me një sërë masash mbrojtëse dhe të tjera, dhe mendoj se do të ketë kohë vërtet mjaft të vështira përpara”, thotë analisti i mbrojtjes Athanasios Drougos.
Analistët thonë se si udhëheqësit grekë ashtu edhe ata turq po e paraqesin veten si burra të fortë që po mundohen të kënaqin votuesit nacionalistë.
Por thellimi i lidhjeve të Athinës me Uashingtonin dhe Bashkimin Evropian – ndërkohë që Ankaraja përballet me izolim – po e vendos Turqinë në pozita delikate.
“Këto janë pasojat e gabimeve strategjike që Turqia bëri dekadën e fundit. Duke u distancuar nga të gjithë, u krijua një vetëbesim i tepruar, nëse mund të shprehem kështu, në aftësinë e Turqisë për t'i dhënë formë e vetme hapësirës përreth”, thotë Serhat Guvenc me universitetin Kadir Has.
Dislokimi nga Turqia i anijeve për kërkim nafte në portet pranë ujërave të kontestuara mes Greqisë dhe Qipros, krijon një tjetër pikë tensioni, që mund të sjellë edhe më shumë izolim.