Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Cavusoglu tha se Suedia dhe Finlanda duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të zbutur shqetësimet e vendit të tij lidhur me sigurinë, e për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë ndaj kërkesës së tyre për anëtarësim në NATO.
Zoti Cavusoglu tha të premten se Turqia pret përgjigje për kërkesat që u ka drejtuar dy vendeve nordike, të cilat vizituan këtë javë Ankaranë.
Kërkesat për anëtarësim kërkojnë miratimin e të gjitha vendeve anëtare në NATO-s. Turqia deri tani është kundër. Ankaraja ka përmendur si shqetësim mbështetjen, që siç thotë ajo, këto dy vende u kanë ofruar militantëve kurdë, që Turqia i konsideron si terroristë, si dhe kufizimet për shitjen e armëve Turqisë.
Zoti Cavusoglu tha se nëse mendohet se Turqia do të bindej me kalimin e kohës, meqë jemi miq dhe aleatë, kjo nuk është e saktë.
Ai këmbënguli që këto dy vende duhet të ndërmarrin hapa konkretë.
Zoti Cavusoglu tha se Turqia i kupton shqetësimet e Finlandës dhe Suedisë mbi sigurinë, por shtoi se të gjithë duhet gjithashtu të kuptojnë shqetësimet legjitime të Ankarasë lidhur me sigurinë.