Më 19 maj, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përsëriti kundërshtimin e tij për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancën e NATO-s. Turqia është një ndër 30 vendet anëtare të NATO-s, të cilat duhet të japin të gjitha miratimin për të lejuar anëtarësimin e vendeve të reja në këtë traktat të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Zoti Erdogan i akuzoi këto dy vende nordike, në veçanti Suedinë, se strehojnë anëtarët e partisë së jashtëligjshme në Turqi, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), si dhe mbështetësit e predikuesit me qëndrim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga Ankaraja për orkestrimin e grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Më 18 maj, Suedia dhe Finlanda njoftuan se do të paraqesin bashkërisht aplikimet për anëtarësimin në NATO, një zhvillim ky që gazeta britanike The Guardian tha se është “një zhvendosje sizmike në arkitekturën e sigurisë së Evropës, pas sulmit të Rusisë në Ukrainë”.
Prej dekadash, Finlanda, e cila ka kufi të përbashkët me Rusinë, si dhe Suedia, vendi fqinj në perëndim të Finlandës, e shihnin futjen në NATO si një provokim të panevojshëm ndaj Rusisë dhe për rrjedhojë ruajtën neutralitetin.
Tashmë që Rusia vazhdon goditjet me artileri dhe raketa ndaj Ukrainës, gjithçka ka ndryshuar. NATO ka një politikë “të dyerve të hapura” për çdo vend që mund të dëshirojë të anëtarësohet, por në prag qëndron zoti Erdogan.
“NATO është një organizatë sigurie; ne nuk mund të pranojmë që ajo të përmbajë organizata terroriste. Këto vende strehojnë PKK-në dhe YPG-në”, tha zoti Erdogan, duke iu referuar kështu Njësive Mbrojtëse të Popullit Kurd në Siri (YPG), që janë aleatë të Shteteve të Bashkuara në luftën ndaj ISIS-it në Siri.
Megjithatë, përkufizimi që jep zoti Erdogan shtrembëron të vërtetën, heq vëmendjen nga disa motivime të tjera të mundshme dhe injoron disa fakte të rëndësishme.
Pikë së pari, Finlanda dhe Suedia janë anëtare të Bashkimit Evropian, i cili ka shpallur të jashtëligjshme PKK-në.
PKK-ja është angazhuar prej dekadash në një fushatë për pavarësi në pjesën juglindore të Turqisë. Ankarja, e konsideron PKK-në grupim terrorist, ashtu si edhe BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. YPG-ja është krahu i armatosur i Partisë Bashkimi Demokratik (PYD), një filial i PKK-së në Siri.
Suedia dhe Finlanda i hedhin poshtë akuzat se po strehojnë terroristë.
Më 20 maj, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, akuzoi zotin Erdogan se përhap “dizinformim”. Në një mesazh në Twitter, ajo tha se Kryeministri i ndjerë suedez Olof Palme ishte i pari që e shpalli PKK-në grup terrorist në vitin 1984, dhe se ky pozicion nuk ka ndryshuar.
Prej vitesh në fakt, PKK-ja dyshohej si organizatore e vrasjes së zotit Palme në vitin 1986. Këto akuza ushqeheshin nga Turqia deri në vitin 2020, kur prokuroria suedeze akuzoi për vrasjen Stig Engstromin, një projektues grafikash dhe kritik i zotit Palme. I akuzuari ka bërë vetëvrasje.
Ndërkohë, Presidenti finlandez Sauli Niinisto tha në Twitter se “Finlanda dënon terrorizmin në të gjithë format që shfaqet. Dialogu nga afër vazhdon” me Turqinë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka mirëpritur aplikimet e Suedisë dhe Finlandës dhe tha se anëtarësimi i tyre do të forconte NATO-n.
Një varg njoftimesh në lajme spekuluan mbi motive të tjera turke për kundërshtimin e zotit Erdogan. Organizata e lajmeve në internet POLITICO vuri në dukje se Turqia bëri një lëvizje të ngjashme në vitin 2009, kur bllokoi emërimin e kryeministrit të Danimarkës si drejtues i NATO-s, pasi ky vend kishte një stacion televiziv kurd.
POLITICO tha se Turqia mund të jetë duke ushtruar presion ndaj Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje për marrjen e avionëve luftarakë F-16. Presidenti Biden dhe Kongresi amerikan kanë qenë duke shqyrtuar kërkesën e Turqisë.
Agjensia e lajmeve Associated Press raportoi se Turqia gjithashtu mund të kërkojë t'i jepet fund embargos së armëve, që disa vende evropiane, përfshirë Finlandën dhe Suedinë, vendosën ndaj Ankarsë në vitin 2019 pasi ushtria turke ndërhyri në Sirinë verilindore.
Zoti Erdogan përmendi si arësye të ndpërhyrjes shqetësimet e sigurisë, duke thënë se kishte për qëllim eliminimin e milicive kurde pranë kufijve të Turqisë.
Ka gjithashtu edhe çështje të politikës së brendshme.
Turqia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vitin 2023. Megjithatë, tani inflacioni është rritur në 70 për qind, më i larti që nga ardhja në pushtet në vitin 2002 e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të zotit Erdogan. Dhe ndërsa ekonomia dobësohet më tej, ndjenjat kundër refugjatëve janë rritur.
Turqia ka popullsinë më të madhe të refugjatëve në botë, përfshirë 3.6 milionë refugjatë sirianë, që i pranoi si pjesë e një marrëveshjeje të vitit 2016 me BE-në. Më pas evropianët ranë dakord t'i jepnin Turqisë 6 miliardë euro për ndihmën për refugjatët dhe të rifillonin bisedimet e ngecura mbi kërkesën e Turqisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Turqia shpenzoi fondet e fundit të BE-së në dhjetor 2021 dhe Evropa ka treguar interes për rinovimin e marrëveshjes. Duke shkruar për The National, një gazetë në gjuhën angleze në Emiratet e Bashkuara Arabe, gazetari David Lepeska tha se Turqia mund të tolerojë "hyrjen në NATO të Suedisë dhe Finlandës ‘gjoja mbështetëse të terrorizmit’, nëse evropianët pranojnë të japin më shumë ndihma për refugjatët sirianë”.
Për sa i përket pretendimeve të zotit Erdogan ndaj zotit Gulen, i cili jeton në shtetin amerikan të Pensilvanisë, Turqia nuk ka arritur të paraqesë argumenta solide për të provuar se zoti Gulen orkestroi përpjekjen për grusht shteti në vitin 2016.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk janë dakort me Turqinë që lëvizja e zotit Gulen të jetë një organizatë terroriste, dhe Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e përsëritura të Turqisë për ekstradimin e zotit Gulen.
Në vitin 2020, John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, i tha kanalit turk T24 News, se “qeveria turke paraqit vazhdimisht të njëjtat dokumenta, të cilave u mungojnë të dhënat për përfshirjen e klerikut në grushtin e dështuar të shtetit”.