Mes shtypjes së ashpër të opozitës politike dhe shoqërisë civile në Rusi pas agresionit të saj në Ukrainë, mijëra njerëz janë larguar nga vendi, mes tyre shumë artistë, puna e të cilëve është shpesh kritike ndaj Presidentit Vladimir Putin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Helsinki, disa nga artistët kanë gjetur strehë dhe siguri në Finlandë.
Dramaturgu Mikhail Durnenkov dhe aktori Aleksey Yudnikov janë të dy armiq të vjetër të Kremlinit. Për dekada me radhë interpretimet e tyre kanë vënë në lojë qeverinë ruse dhe udhëheqësin e saj Vladimir Putin – duke testuar kufijtë e lirisë së shprehjes, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të shtetit.
Pas agresionit rus në Ukrainë, ata u larguan nga vendi dhe gjetën strehë të përkohshme në një qendër të drejtuar nga organizata "Artistët në Rrezik" në kryeqytetin finladez të Helsinkit.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, dramaturgu Mikhail Durnenkov thotë se largimi nga Rusia ishte shprehje e qëndrimit kundër veprimeve të Kremlinit
“U larguam thjesht për të mos qenë në anën që po bën luftë, që të mos e mbështesim. Nëse jam këtu [në Finlandë] do të thotë se mund të flas, duhet të flas dhe duhet të ndihmoj që zërat kundërshtarë nga Rusia të dëgjohen, sepse atje është e pamundur”.
Rusia i ka shtypur brutalisht protestat kundër luftës. Një ligj i ri përcakton dënime deri në 15 vjet burg për përhapjen e atyre që Kremlini i cilëson si lajme “të rreme” për agresionin.
Dramaturgu Durnenkov thotë se hapësira për lirinë e shprehjes është zhdukur.
“Është një ligj i pashprehur që tani ekziston në shoqërinë ruse, sipas të cilit nëse je në luftë dhe nëse thua diçka kundër po e shet vendin tënd dhe kjo do të dënohet menjëherë, ashpër, aty për aty.”
Aktori me origjinë ukrainase Aleksey Yudnikov gjithashtu u largua nga Moska pas agresionit, duke lënë pas familjen.
“Ndjej dhimbje dhe faj. Çfarë mund të ndryshoja i vetëm? Nuk mund të gjeja ndonjë alternativë më të mirë sesa thjesht të largohesha. Ishte spontane, një gjest instinktiv për t'u larguar. Për të filluar nga e para në Findlandë, thjesht sepse jashtë Rusisë mund të thuash të vërtetën”.
Aktori Yudnikov organizoi një protestë jashtë pavionit rus në festivalin e fundit të artit në Bienalen e Venecias në Itali. Ai thotë për Zërin e Amerikës se agresioni ndaj Ukrainës ka nisur një luftë paralele brenda Rusisë.
“Veglat e regjimit po përpiqen me paturpësi të imponojnë formulën se Putini është Rusia dhe se ato nuk ekzistojnë pa njëra-tjetrën. Është një luftë mes realitetit dhe arratisë. Një luftë mes së vërtetës dhe diçkaje false”.
Durnenkov dhe Yudnikov janë ndër artistët që kanë ikur nga Rusia që nga fillimi i luftës, për të qënë të lirë por edhe për të vazhduar të shprehin kundërshtimin e tyre. Ata nuk e dinë nëse dhe kur do të kthehen në Rusi.
Artistët rusë lënë vendin e tyre për t’iu shmangur masave shtypëse
Your browser doesn’t support HTML5