Një gjykatë në Shkup dënoi të premten me nëntë vjet burg ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me tre vjet burg ish-Ministrin e Transportit, Mile Janakievski lidhur me rastin e shkatërrimit të paligjshëm të një ndërtese, pronë e një sipërmarrësi, në vitin 2012.
Për këtë rast gjyqësor të koduar si “TNT” iu dhanë dënime me heqje lirie edhe ish-kryetarit të komunës Gazi Babë të Shkupit dhe një inspektoreje ndërtimore të kësaj komune. Ata u dënuan me nga katër vjet burg.
Sipas gjykatësit Ognen Stavrev, ish-kryeministri Gruevski dhe ish-ministri Manakievski kishin detyruar kryebashkiakun Toni Trajkovski dhe inspektoren Elisaveta Najdovska që ta rrëzojnë kompleksin ndërtimor të njohur si “Kosmos” të ish-politikanit Fiat Canovski, në shenjë hakmarrjeje për shkak të largimit të tij nga koalicioni qeveritar dhe bashkimit me opozitën e kohës.
Gjykatësi bëri një arsyetim të gjatë për shkakun e refuzimit të mbrojtjes së të akuzuarve që kishte të bënte me faljen e tyre nga ish-Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, në vitin 2016.
Gjykatësi e quajti të pavlefshëm vendimin e ish-presidentit, ndërsa vendimi gjyqësor i së premtes i ngarkon të dënuarit që të bëjnë dëmshpërblimin me një vlerë prej dhjetë milionë eurosh kundrejt sipërmarrësit Canovski. Ndërkohë, ky i fundit kishte paralajmëruar që më parë se do të kërkonte dyzet milionë euro dëmshpërblim nga shteti dhe nga të akuzuarit.
Ndërsa avokati i ish-ministrit Janakievski paralajmëroi ankesë ndaj vendimit gjyqësor, ish-Kryeministri maqedonas, i cili u dënua në mungesë dhe ndodhet në Budapest të Hungarisë, shkruan në Facebook për “përndjekje absurde ndaj tij”.
Ky nuk është dënimi i parë për Nikolla Gruevskin e as për Mile Janakievskin.