Presidenti Joe Biden përshëndeti të enjten me entuziazëm vendimin e Finlandës dhe Suedisë për të kërkuar anëtarësimin në NATO. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, anëtarësimi i tyre do të zgjeronte aleancën me dy nga ushtritë më moderne të Evropës pikërisht në kufirin veriperëndimor të Rusisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një takim me kryeministren e Suedisë dhe presidentin e Finlandës në Shtëpinë e Bardhë të enjten, presidenti Joe Biden tha se anëtarët e NATO-s kanë shumë arsye për t'i pranuar me shpejtësi të dy vendet në aleancë.
"Suedia dhe Finlanda kanë institucione të forta demokratike, ushtri të forta dhe ekonomi të forta dhe transparente. Dhe një ndjenjë të fortë morale për të drejtën. Ata plotësojnë çdo kërkesë të NATO-s", tha ai.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se vendi i saj do të kontribuonte shumë në aleancën mbrojtëse prej 30 anëtarësh, e cila u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të kundërshtuar agresionin sovjetik.
"Vlerat dhe besimet tona të përbashkëta në demokraci dhe liri. Vlera dhe besime që tani po vihen në provë. Dhe sot, situata në Ukrainë na kujton ditët më të errëta të historisë evropiane. Dhe duhet të them se në kohë të errëta është mirë t’i kesh miqtë pranë", tha ajo.
Por disa analistë thonë se ky veprim mund të provokojë më tej Rusinë.
"Shqetësohem se zgjerimi i NATO-s me Finlandën dhe Suedinë mund të jetë provokues. Pavarësisht se ç’mendojmë për vlerën e anëtarësimit të tyre, nuk besoj se është veprimi i duhur, që kjo të bëhet tani, madje mendoj se tregon mungesë durimi strategjik", thotë analistja Melanie Sisson e Institutit Brookings për Zërin e Amerikës.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes si një kërcënim për Rusinë dhe kishte përmendur dëshirën e Ukrainës për t’u anëtarësuar si një arsye për vendimin e tij për të nisur luftën në shkurt.
"Zgjerimi i NATO-s është një problem që është krijuar krejtësisht artificialisht, sepse bëhet për interesin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Në përgjithësi NATO është bërë instrument i politikës së jashtme të një vendi", është shprehur ai.
Presidenti Biden tha se Kongresi pritet t’i miratojë kërkesat e Suedisë dhe Finlandës.
Por Turqia, anëtare e NATO-s po krijon pengesa. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i akuzon këto vende se kanë strehuar "terroristë" dhe se kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë.
"Ne kërkuam që të ekstradoheshin 30 terroristë, por ata (Suedia) thanë se nuk do ta bënin. Ju nuk na i dorëzoni terroristë, por kërkoni që t'ju lejojmë të anëtarësoheni në NATO. NATO-ja është një organizatë sigurie Prandaj, ne nuk mund të themi 'po' për t'i dobësuar sigurinë kësaj organizate sigurie", tha presidenti Erdogan.
Presidenti i Finlandës tha se qeveria e tij e ka kontaktuar Ankaranë.
"Si aleatë të NATO-s, ne do të angazhohemi për sigurinë e Turqisë, ashtu si Turqia do të angazhohet për sigurinë tonë. Ne e marrim seriozisht terrorizmin. Ne e dënojmë terrorizmin në të gjitha format e tij dhe jemi të angazhuar në mënyrë aktive në luftën kundër tij", tha presidenti finlandez, Siinisto.
Ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker i tha Zërit të Amerikës se NATO mund të marrë edhe kërkesa të tjera për anëtarësim.
"Nëse Finlanda dhe Suedia, të cilat janë demokraci, anëtarë të BE-së, ushtri të fuqishme - nuk mendojnë se është e sigurt të jesh jashtë NATO-s, atëherë qartazi vendet që kanë mbetur jashtë, të ashtuquajtura ‘të zonës gri’ si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe disa vende të Ballkanit, nuk mund ta konsiderojnë veten të sigurt pa NATO-n. Kështu që kërkesat do të shtohen", tha ai për Zërin e Amerikës.
Të enjten në mbrëmje, presidenti Biden u nis për udhëtimin e tij të parë presidencial në Azi, ku do të vizitojë Korenë e Jugut dhe Japoninë dhe do të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë. Gjasat janë që në këto takime do të ketë diskutime të gjata mbi situatën në Ukrainë.