Senati amerikan miratoi një fond prej 40 miliardë dollarësh për ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, Presidenti Joe Biden pritet ta nënshkruajë ligjin, pikërisht në momentin kur po përfundonin fondet miratuara më herët këtë vit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndihma për Ukrainën po vjen pikërisht në kohën e duhur. Fondi i mëparshëm i miratuar nga Kongresi amerikan në muajin mars, prej rreth 14 miliardë dollarësh për asistencë humanitare dhe ushtarake, pothuajse po përfundon. Paketa ligjore për ndihmën e re u miratua me mbështetje dypartiake, në një votim 86 pro me 11 kundër.
“Të gjithë ne amerikanët, të gjithë ne demokratët dhe republikanët, nuk mundemi të fshihemi ndërsa Vladimir Putini vazhdon agresionin e tij të egër ndaj popullit ukrainas, ndërsa ai godet spitale civilësh dhe vret fëmijë dhe njerëz të pafajshëm, Por, kur një numër domethënës republikanësh e kundërshton paketën ligjore, ky është pikërisht mesazhi që u dërgojmë armiqve tanë jashtë vendit”, tha Senatori Schumer.
Të njëmbëdhjetë senatorët që votuan kundër ishin republikanë, ndër ta edhe Senatori Rand Paul, i cili e vonoi me një javë miratimin e paketës, duke kërkuar më shumë mekanizma mbikqyrjeje. Disa shqetësohen gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po e teprojnë me fondet për Ukrainën, ndërkohë që amerikanët po përballen me shtrenjtimin e jetesës. Por, kreu i pakicës republikane në Senat thotë se kostoja e mosveprimit do të ishte shumë më e lartë.
“Ndihma për Ukrainën shkon përtej bamirësisë. E ardhmja e sigurisë së Amerikës dhe interesave të saj thelbësore strategjike do të përcaktohet nga kjo luftë. Çdokush që shqetësohet për koston e mbështetjes për një fitore të Ukrainës, duket të ketë parasysh koston shumë më të lartë, në rastin nëse humb Ukraina”, tha Senatori McConnell.
Shtetet e Bashkuara autorizuan gjithashtu transferimin e paisjeve ushtarake me vlerë 100 milionë dollarë.
“Do të ketë artileri të rëndë 155 milimetërshe, automjete taktike që tërheqin artilerinë, etj. Pra, është ekuivalentja e një batalioni artilerie, të shoqëruar nga tre radarë AN/TPQ-36 kundër artilerisë”, tha zoti Kirby.
Do të jepen gjithashtu 100 milionë dollarë të tjera për operacionet ndaj oligarkëve rusë që përfitojnë nga vendimi i Presidentit Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën. 900 milionë dollarë do t’u shkojnë refugjatëve ukrainas dhe 4.4 miliardë dollarë do të përdoren për të lehtësuar krizën e furnizimit me ushqime.
“Furnizimet me ushqime për miliona ukrainas dhe miliona të tjerë në mbarë botën, janë duke u mbajtur peng nga ushtria ruse”, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Kjo ndihmë do të jepet me shpejtësi, sapo të marrë firmën e Presidentit Biden. Që kur Rusia filloi sulmin më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 54 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën.