SPAK, goditen 8 grupe kriminale, në kërkim emra të njohur të krimit

  • Armand Mero

Në Shqipëri, një operacion i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, çoi në goditjen 8 grupeve kriminale. Në listën e 32 urdhërave të arrestit figurojnë emra të njohur të botës së krimit.

Drejtuesi i SPAK Arben Kraja dhe drejtori i Përgjithshëm i policisë Gledis Nano bënë të ditur se ishin ekzekutuar 18 urdhëra arresti, nga të cilët 9 ishin në burg që më herët për çështje të tjera. 14 personat e tjerë, mes tyre dhe emrat e figurave kryesore si Elvis Martinaj, Suel Çela, Talo Çela apo Kamer Mehja, e Florenc Çapja, janë në kërkim.

Grupet e goditura vepronin kryesisht në Elbasan, por dhe në Tiranë e Durrës. Mes të arrestuarve është dhe një punonjës policie.

Sipas SPAK, këto grupe dyshohet se qëndrojnë prapa disa vrasjeve, tentativave për vrasje, vjedhjeve me dhunë dhe armë, veprave të dhunshme, apo shkatërrim prone me lëndë plasëse, të kryera që nga viti 2011 deri vitin e kaluar.

Karakteristike e veprimtarisë së tyre, sipas SPAK, është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë. “Mënyra e kryerjes së krimeve tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore”, deklaroi drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja.

Gjatë operacionit të sotëm është ushtruar kontrol dhe në banesat dhe pronat e 28 personave, ku “janë sekuestruar 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale”, njoftoi drejtori i Policisë, Nano.