Musk: Dyshimet për llogari të rreme mund të fundosin marrëveshjen me rrjetin Twitter

FILE PHOTO: Illustration shows Elon Musk's Twitter profile on smartphone and printed Twitter logos

Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk, thotë se marrëveshja e tij për të blerë rrjetin Twitter nuk mund të ecë përpara nëse kompania nuk tregon prova publike se më pak se 5% e llogarive në rrjet janë të rreme ose të padëshiruara.

Zoti Musk e bëri komentin gjatë një përgjigje ndaj një përdoruesi tjetër në rrjetin Twitter të martën. Dje zoti Musk pati një numër të madh shkëmbimesh në platformën sociale me shefin e rrjetit Twitter Parag Agrawal, i cili u përpoq të shpjegonte përpjekjet e kompanisë së tij për të luftuar programet robotike në rrjet. Zoti Parag tha se sipas vlerësimeve të tij më pak se 5% e llogarive në Twitter janë të rreme.

Në postimin e tij në Twitter të martën, zoti Musk tha se, “20% e llogarive false/robotike, krahasuar me 4 herë më shumë se sa pretendon Twitter, janë shifër shumë e lartë. Oferta ime bazohej në faktin se dokumentet që Twitter ka depozituar pranë autoriteteve federale “Securities and Exchange Commission” SEC, ishin të sakta”.

Ai shtoi: “Dje, CEO i Twitter-it refuzoi publikisht të tregojë prova të 5%. Kjo marrëveshje nuk mund të ecë përpara derisa ai ta bëjë këtë.” Twitter nuk pranoi të komentojë.

Kjo është përpjekja më e fundit e zotit Musk mbi llogaritë joautentike, një problem që ai dëshiron ta fshijë nga rrjeti Twitter.

Gjatë një konference për teknologjinë të mbajtur në Majami të hënën, zoti Musk vlerësoi se të paktën 20% e 229 milionë llogarive në Twitter janë robotë/spam, një përqindje për të cilën tha se ishte shifra më e ulët në vlerësimet e tij.

Beteja mbi llogaritë false filloi javën e kaluar kur zoti Musk postoi në rrjet se marrëveshja me Twitter-in ishte në pritje të konfirmimit të vlerësimeve të kompanisë se më pak se 5% e llogarive ishin të rreme.

Në konferencën e zhvilluar në Majami, zoti Musk la të kuptohet se dëshironte të ulte çmimin e blerjes së rrjetit Twitter nga oferta e muajit të kaluar prej 44 miliardë dollarësh.

Komentet e tij ka gjasa të forcojnë teoritë e analistëve se miliarderi ose kërkon të heqë dorë nga marrëveshja ose ta blejë kompaninë për një çmim më të lirë. Përgjigja në Twitter të martën erdhi pasi një faqe lajmesh për Teslën spekuloi se zoti Musk, “mund të jetë në kërkim të një marrëveshje më të mirë me Twitter-in, pasi 44 miliardë dollarë janë shumë”.

“Aksionet e Twitter-it do të jenë sërish nën presion këtë mëngjes pasi tani për tani nuk duket se ka shanse të mira që të arrihet marrëveshja”, tha në një shënim kërkimor analisti i “Wedbush Securities” Dan Ives, i cili mbulon Twitter-in dhe Teslan. Ai vlerësoi se ka "60%+ shanse" që zoti Musk të heqë dorë nga marrëveshja dhe të paguajë tarifën prej 1 miliard dollarësh për largimin.

Më 14 prill zoti Musk bëri ofertë për të blerë kompaninë Twitter me çmimin 54.20 dollarë për aksion. Që nga ajo kohë vlera e aksioneve ka rënë duke shkuar në 37.28 dollarë për aksion deri në mëngjesin e së martës. Edhe aksionet e Teslës kanë rënë që nga njoftimi i marrëveshjes.

Përmes një postimi në rrjet, zoti Agrawal pranoi të hënën se Twitter nuk është perfekt në zbulimin e robotëve. Ai shkroi se çdo tremujor, kompania ka bërë vlerësimin se rrjeti ka më pak se 5% llogari të rreme. “Përllogaritja jonë bazohet në rishikime të shumta nga dora e njeriut të mijëra llogarive që janë shqyrtuar në mënyrë të rastësishme, vazhdimisht”, shkroi zoti Agrawal. Vlerësimet për katër tremujorët e fundit ishin të gjitha nën 5%, shkroi ai. “Caku i gabimit në vlerësimet tona na jep besim për deklaratat tona publike çdo tremujor”.

Gjatë dy viteve të fundit në dokumentacionin për agjencinë federale rregullatore “Securities and Exchange Commission”, Twitter ka thënë se më pak se 5% e llogarive janë të rreme apo robotike, shumë më herët se zoti Musk të ofronte blerjen e rrjetit.