Qeveria e Kosovës vendosi të hënën sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Sipas qeverisë, sanksionet përfshijnë “ngrirje të pasurive, ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës, ndalimin e udhëtimit në territorin e Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim dhe bllokim të fondeve direkte apo indirekte, ndalim për çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus dhe bjellorusë që transportojnë mallra përmes rrugëve të Kosovës, përfshirë transitin, përjashtimisht produktet farmaceutike dhe ushqimore duke përfshirë grurin, për transportin për qëllime humanitare dhe ndalim të importit nga Rusia të qymyrit dhe të lëndëve të tjera djegëse të ngurta apo fosile në Kosovë nëse ato janë me origjinë nga Rusia apo eksportohen nga Rusia”.
Lexoni edhe këtë Parlamenti i Kosovës dënon me rezolutë agresionin e Rusisë ne UkrainëZëvendësministri i punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se sanksionet janë në vijë me ato të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Duke pasur parasysh rreshtimin e Republikës së Kosovës me partnerët tanë në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe integriteti territorial të Ukrainës, rekomandoj për ndryshim dhe plotësim të vendimit të qeverisë të datës 25 shkurt 2022 të ndryshuar me 23 mars të vitit 2022 për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë”, tha ai.
Your browser doesn’t support HTML5
Qeveria e Kosovës vendosi masa për kufizimin e veprimtarive të grupit “Wagner”, të cilat sipas qeverisë janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë grupin Wagner si një vegël të ushtrisë ruse.
“Masat kufizuese synojnë grupin Wagner si entitet, tetë individë dhe 3 subjekte të lidhura me këtë grup, pasi që i njëjti ka rekrutuar dhe trajnuar operativë ushtarakë privat në zonat e konfliktit në mbarë botën për të nxitur dhunë, plaçkitur burimet natyrore dhe për të frikësuar civilët në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare duke përfshirë ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Individët e listuar nga Bashkimi Evropian janë të përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe në aktivitete destabilizuese në disa nga vendet ku veprojnë”, tha zoti Ahmeti.
Lexoni edhe këtë Kosova iu bashkohet sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër RusisëQeveria miratoi edhe projektligjin për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestëruara. Qëllimi i këtij projektligjit sipas qeverisë është krijimi i mekanizmave sa më efikas në kuadër të zbatimit të sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestëruara në fushën e luftimit të terrorizmit dhe të armëve të shkatërrimit në masë.
Që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria e Kosovës, u është bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë dhe disa individëve nga Bjellorusia, për siç thuhet, rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus ndaj Ukrainës.
Aktualisht Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuara sanksioneve ndaj Rusisë dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se “Serbia do të luftojë për aq kohë sa mundet që t’i përmbahet politikës së saj për të mos i vendosur sanksione Rusisë”, aleates së saj të vjetër, me gjithë trysninë perëndimore.