Finlanda njoftoi sot zyrtarisht synimin e saj për t’u anëtarësuar në NATO ndërsa shumë nga vendet e aleancës shprehën optimizëm për një proces të shpejtë si për Finlandën edhe Suedinë, megjithë kundërshtitë e papritura të Turqisë. Në takimin informal të NATO-s në Berlin, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se vendi i saj është i gatshëm për një ratifikim të shpejtë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rikonfirmoi vendosmërinë e aleancës ndaj kërcënimit rus në Ukrainë dhe më gjerë.
Your browser doesn’t support HTML5
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, i cili po merr pjesë në takimin e NATO-s, theksoi se aleanca dëshiron përfundimin sa më të shpejtë të luftës në Ukrainë.
“Çdo anëtar i aleancës dëshiron përfundim e kësaj lufte sa më parë. Por, ne jemi gjithashtu të vendosur të vazhdojmë ndihmën e sigurisë për Ukrainën, të vazhdojmë sanksionet, kontrollin ndaj eksporteve dhe presionin diplomatik ndaj Rusisë për sa kohë të jetë e nevojshme”, tha Sekretari Blinken.
NATO ka besimin se do të gjendet një zgjidhje për kundërshtitë e Turqisë ndaj një pranimi të shpejtë në aleancë të Finlandës dhe Suedisë, tha zv.sekretari i përgjithshëm, i cili mori pjesë në takim në vend të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili po merr veten nga COVID-i.
Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock theksoi të dielën nevojën për një ratifikim të shpejtë të aplikimeve të Finlandës dhe Suedisë, proces i cili zakonisht zgjat rreth 1 vit.
Ndërsa vazhdon takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s, zonja Baerbock tha se Gjermania ka përgatitur gjithçka të nevojshme për një proces të shpejtë ratifikimi.
“... Çdo gjë ka ndryshuar në Evropë, në rajonin euro-atlantik. Ky është thjesht momenti i duhur kur mund ta bisedojmë haptazi, pa shënime të parapërgatitura, të flasim si miq, pasi mund të marrim një vendim për të cilin nuk e kishim menduar përpara 24 shkurtit”, tha zonja Baerbock.
Shqipëria radhitet ndër vendet që kanë ofruar mbështetje të plotë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë dhe siç tha zonja Baerbock janë shumë vende të NATO-s që kanë nënvizuar gatishmërinë për një ratifikim të shpejtë.
Pasi paraqiti kundërshtime ndaj anëtarësimit të vendeve nordike të shtunën, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu u shpreh të dielën se është “e papranueshme dhe revoltuese” që dy vendet aspirante mbështesin grupin militant kurd PKK.
Ndërsa Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss u tha gazetarëve se Britania e Madhe mbështet me forcë anëtarësimin.
“Jemi shumë të kënaqur që të na bashkohen miqtë tanë, Finlanda dhe Suedia. Nëse aplikojnë për në NATO, Mbretëria e Bashkuar i mbështet me forcë. Po punojmë gjithashtu me Poloninë dhe vende të tjera që Ukraina të ketë mbrojtje të standarteve të NATO-s. Është gjithashtu e rëndësishme të ruajmë fokusin e NATO-je globale, pasi krahas mbrojtjes së sigurisë euro-atlantike, duhet të ruajmë edhe sigurinë në rajonin indo-paqësor”, tha zonja Truss.
Aleatët diskutuan për garancitë e sigurisë për dy vendet nordike ndaj të cilave Moska tashmë ka paralajmëruar se do të reagojë.
Rusia e konsideron zgjerimin e NATO-s si një kërcënim për sigurinë e saj dhe ka përmendur ambicien e Ukrainës për anëtarësim në këtë aleancë si një arsye për fillimin e “operacionit special ushtarak”, siç e quan Moska, ndaj vendit fqinj në jug.