Forcat ruse po vazhdojnë sulmet me artileri në Ukrainën juglindore, ndërsa përpiqen të avancojnë drejt qytetit Odesa dhe pjesëve të tjera të rajonit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat, njofton nga rajoni Zaporizhzhia, në Ukrainën jugore.
Your browser doesn’t support HTML5
Avionët rusë fluturojnë ulët dhe vënë në përdorim mekanizmat për t'u mbrojtur nga raketat kundërajrore, përpara se të sulmojnë pozicionet ukrainase.
Në terren, rezultati është shkatërrimi.
Një fshat i vogël në rajonin Donbas, në Ukrainën lindore, ka mbetur pothuajse i zbrazët.
Rajonet duken si qytete fantazma tashmë.
Mund të pikasësh vetëm ushtarë që qëndrojnë në llogore.
Gjithçka duket e qetë kur nuk po bien bomba.
Gjithçka duket paqësore, por është kështu vetëm në dukje.
Në vende të tilla po bëhet lufta për Ukrainën.
Ihori jeton në Kamianske, një ndër pozicionet e fundit që mban Ukraina në jug të Zaporizhzhias, në Ukrainën jugore. Ky qytet i vogël kishte rënë nën kontrollin rus dhe vetëm një muaj më parë u mor sërish nga ushtarët ukrainas.
Ihori thotë se nuk ka ku të shkojë. Ai nuk ka miq apo familjarë dhe thotë se preferon të qëndrojë këtu.
"Shëndeti nuk na e lejon më të vrapojmë gjithë kohës për në vendstrehim. Shumë nga ata që ikën ishin me probleme shëndetësore, probleme zemre. Gruaja ime p.sh. ka probleme me këmbët. Na shpërndajnë ushqim. Por, ja ku kemi. Ne të dy, vetëm në këtë rrugë", i thotë Ihori Zërit të Amerikës.
Ai jeton me të shoqen, Iryna, dhe qentë e tyre që frikësohen gjithnjë e më shumë nga shpërthimet e vazhdueshme.
Iryna i thotë Zërit të Amerikës se kanë mbi tre muaj që qëndrojnë në vendstrehim.
"Kur bien bombat qëndrojmë këtu. Kështu jetojmë. Ka tre muaj që vazhdojnë bombardimet. Dalim jashtë kur nuk ka bombardim. Natën flemë nën tokë pasi nuk dihet kur mund të godasin prapë. Është më me rrezik të vrapojmë drejt vendstrehimit", thotë Iryna.
Ushtarët qëndrojnë në llogore jo larg prej aty. Një pritje pa fund.
Makineritë hapin llogore në tokën që duhej të prodhonte tashmë grurë.
Kur nuk bombardohen, ushtarët vëzhgojnë për lëvizje të mundshme të armikut.
Ata shijojnë diellin pranveror në rajonin Donbas dhe madje edhe mbjellin qepë nëpër llogore.
Në këtë luftë artilerie, llogoret shndërrohen në shtëpi për ushtarët. Ata hanë këtu, flenë këtu dhe shpesh edhe vdesin këtu.
Një ushtar i tregon Zërit të Amerikës se si varrosën njërin prej kolegëve që e goditi drejtpërsëdrejti një raketë ruse.
Pranvera ka risjellë ngjyrat jeshile dhe të verdhë në të gjithë këtë rajon të Ukrainës.
Kur nuk po godet artileria, të ecësh përgjatë një rruge, të shëmbëllen si diçka paqësore.
Por pa vonesë, gropat në tokë, raketat e pashpërthyera dhe makinat e shkatërruara na rikujtojnë se lufta po zhvillohet pikërisht këtu.