CDC: 107, 000 të vdekur nga mbidoza në SHBA në vitin 2021

Mbi 107,000 amerikanë vdiqën nga mbidoza vitin e kaluar, një shifër tragjike rekord në epideminë e përshkallëzuar të mbidozës nga droga në vend, njoftoi të mërkurën Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Numri i përgjithshëm i vitit 2021 përkthehet në afërsisht një vdekje në nga mbidoza çdo 5 minuta në Shtetet e Bashkuara. Ai shënoi një rritje prej 15% nga rekordi i mëparshëm, i vendosur një vit më parë.

Dr. Nora Volkow, drejtore e Institutit Kombëtar për Abuzimin me Drogën, i cilësoi shifrat e fundit "vërtet tronditëse".

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku e quante "të papranueshëm" ritmin e përshpejtuar të vdekjeve nga mbidoza dhe parashtronte strategjinë e saj kombëtare të kontrollit të drogës. Strategjia parashikon masa të tilla si qasja e më shumë njerëzve tek trajtimi nga mbidoza, goditja e trafikut të drogës dhe zgjerimi i qasjes tek ilaçin naloxone që lufton mbidozën.

Vdekjet nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara janë rritur për më shumë se dy dekada. Rritja filloi në vitet 1990 me mbidozat nga opioidët që përdoren si qetësuesm, pasuar nga vala e vdekjeve nga opioidet e tjera si heroina dhe - së fundmi – fentanili i përdorur në mënyrë të paligjshme.

Vitin e kaluar, mbidozat nga fentanili dhe opioidë të tjerë sintetikë kaluan shifron 71,000, 23% më shumë se një vit më parë. Pati gjithashtu një rritje prej 23% të vdekjeve nga kokaina dhe një rritje prej 34% të vdekjeve nga methamfetamina dhe stimulues të tjerë.

Vdekjet nga mbidoza shpesh i atribuohen më shumë se një droge. Disa njerëz marrin droga të shumta dhe fentanili i lirë është përzier gjithnjë e më shumë me droga të tjera, shpesh pa dijeninë e blerësve, thonë zyrtarët.

"Efekti është që kemi shumë më tepër njerëz, përfshirë ata që përdorin drogë jo rregullisht dhe madje edhe adoleshentët, të ekspozuar ndaj këtyre substancave të fuqishme që mund të çojnë në mbidozë edhe me një ekspozim relativisht të vogël," tha Dr. Volkow në një deklaratë.

Ekspertët thonë se pandemia COVID-19 e ka përkeqësuar problemin pasi bllokimet dhe kufizimet e tjera izoluan ata me varësi nga droga dhe e bënë më të vështirë trajtimin.