SIDNEI - Sipas njoftimit të prokurorëve, një gjykatë në Fiji ka pezulluar ekzekutimin e një kërkese nga Shtetet e Bashkuara për të konfiskuar një superjaht me vlerë prej 300 milionë dollarësh që Uashingtoni thotë se është në pronësi të oligarkut rus Suleiman Kerimov ndaj të cilit janë vendosur sanksione.
Jahti "Amadea", i gjatë 106 metra, u vendos në vëmendje të autoriteteve pasi zoti Kerimov është pjesë e një grupi oligarkësh të afërt me Kremlinin, ndaj të cilëve janë vendosur sanksione nga Shtetet e Bashkuara për shkak të sulmit në Ukrainë.
Jahti vazhdon të mbahet nga policia në Fixhi dhe nuk i lejohet largimi nga ujërat territoriale të këtij vendi ishull, megjithë pezullimin e ekzekutimit të kërkesës, thanë prokurorët.
Jahti luksoz "Amadea" ka platformë për uljen e helikopterëve, pishinë, xhakuzi dhe një "kopsht dimëror", sipas faqes në internet superyachtfan.com. Ai është ankoruar në Lautoka të Fixhit, në Paqësorin Jugor, që në mesin e muajit prill.
Javës që kaloi, agjentë të organeve të zbatimit të ligjit të Fixhit, së bashku me agjentë amerikanë, morën kontrollin e superjahtit, bazuar në fletëporosinë që i ishte dorëzuar Gjykatës së Lartë të këtij ishulli.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë kërkoi që anija, e cila vlerësohet të ketë vlerën 300 milionë dollarë, të sekuestrohet për shkelje të sanksioneve dhe për lidhje të dyshuara me korrupsionin.
Por kompania e regjistruar zyrtarisht si pronare e "Amadeas", Millemarin Investment, arriti të premten të sigurojë një pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të fletëporosisë amerikane nga Gjykata e Apelit, thanë prokurorët e Fixhit.
Gjykata e Apelit miratoi "një pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të urdhrit", i tha agjensisë së lajmeve AFP të hënën një zëdhënëse e zyrës së drejtorit të prokurorisë publike në Fixhi.
Çështja është planifikuar të rikthehet në gjykatë të enjten dhe fletëporosia e Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë e regjistruar zyrtarisht në gjykatat e Fixhit, tha ajo.
"Jahtit i është ndaluar të largohet nga ujërat e Fixhit deri në një njoftim tjetër", shtoi ajo.
"Deri më tani mbahet i ndaluar nga policia e Fixhit".
Shtetet e Bashkuara thonë se zoti Kerimov, i cili u pasurua si bashkë-pronar i kompanive të mëdha energjitike dhe financiare ruse, përfshirë Gazprom dhe Sberbank, është gjithashtu zyrtar i qeverisë ruse.
Në një kopje të urdhërit të bërë publik, u retushua pjesa ku renditen arsye të ndryshme për të provuar se zoti Kerimov është pronari i vërtetë i jahtit.
Urdhëri thoshte se pronësia iu transferua kompanisë Millemarin Investment në gusht 2021.