Në Shkup shënohet Dita e Evropës

  • Isak Ramadani

Dita e Evropës, apo edhe dita e fitores ndaj fashizmit, siç njihet në Maqedoninë e Veriut u shënua në Shkup në një ceremoni ku kryeministri maqedonas dhe përfaqësues të trupit diplomatik folën për rëndësinë e kësaj date, për parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe për vizionin e një Blloku që duhet të përfshijë shtetet e mbetura jashtë tij. Kurora lulesh u vendosën para përmendores së partizanëve pranë ndërtesës së qeverisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Në Shkup shënohet Dita e Evropës

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut e feston me krenari idenë e madhe për Evropën, së bashku me partnerët e BE-së dhe NATO-s, si vlera të përbashkëta.

“Lufta e Dytë Botërore në territorin e Maqedonisë së Veriut përfundoi me rreth 25 mijë viktima në radhët e luftëtarëve. Qytetarët tanë të asaj kohe, pjesëtarë të të gjitha komuniteteve e dhanë jetën sepse zgjodhën të qëndrojnë në anën e aleatëve, forcave antifashiste, që vendosën të bashkohen dhe t’ia zënë rrugën okupatorëve fashistë”, tha zoti Kovaçevski.

Evropa sot nuk është vetëm gjeografi. Bashkim Evropian nuk janë vetëm institucionet në Bruksel dhe Strasburg, por është koncepti i besimit dhe bindjes së përbashkët për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut; për ekonominë e tregut dhe realizimit të mundësive të drejta ekonomike mbi themelet e solidaritetit”, tha zoti Kovaçevski.

Ai u ndal tek synimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për hapjen sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE, duke thënë se “me kufijt e rinj, BE-ja do të bëhet një lojtar më i madh ekonomik dhe politik në skenën botërore, sepse qëndrueshmëria e kontinentit varet nga qëndrueshmëria në tërësi”.

Ambasadorja amerikane Kate Mary Byrnes foli për historinë e përbashkët të kombeve në mbrojtjen e të ardhmes së lirisë për të gjithë.

“Qofshin partizanë apo mbrojtjës, popujt e të gjitha kombeve evropiane i vlerësojnë njerëzit që flijuan jetët për lirinë dhe për paqen”, tha ambasadorja, teksa theksoi shprehjen për historinë që u përsëritet atyre të cilët nuk mbajnë mend të kaluarën:

“E njejta vlen edhe për ata të cilët përpiqen ta rishkruajnë historinë, apo ta rrëmbejnë atë për shkak të axhendave të tyre shkatërruese. Në këtë datë duhet theksuar se historia e përbashkët do të ngadhnjejë ndaj dezinformimit dhe shtrembërimit”.

"Siç shikojmë sulmin e pajustifikuar dhe të paprovokuar rus kundër Ukrainës, vërejmë historinë që po ndryshohet. Ky është turp për ata të cilët luftuan për lirinë e Evropës nga prangat e fashizmit dhe padrejtësi ndaj atyre të cilët kërkojnë përcaktimin e rrugës dhe ardhmërisë së tyre”, u shpreh ambasadorja Byrnes.

Ajo shtoi se bashkimi është idea thelbësore e Ditës së Evropës; shtegu më i sigurt për paqen dhe qëndrueshmërinë që garanton vetëpërcaktimin dhe sovranitetin për të gjitha kombet. Zonja Byrnes theksoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta shohin sa më shpejtë Maqedoninë e Veriut si pjesë e Bashkimit Evropian.

“Pranimi juaj do të sjell më tepër qëndrueshmëri në të gjithë Ballkanin dhe më shumë mirëqenie në Evropë. Do të fuqizojë përpjekjet tona për ta bërë botën më të sigurtë ku të gjithë njerëzit do të jetonin me dinjitet dhe në liri”, tha ambasadorja.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer duke e quajtur një luftë të përgjakshme dhe të pajustifikueshme atë në Ukrainë, nënvizoi se në këtë kohë është treguar si asnjëherë më parë solidariteti ndërkombëtar dhe respektimi i sundimit të ligjit, demokracia dhe të drejtat e njeriut, si parime mbi të cilat u formua Bashkimi Evropian. Ai tha se blloku ende është një proces dhe kërkon përtëritje konstante dhe se ende nuk është i përfunduar:

“Sepse Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të tij. Është në interesin strategjik edhe të BE-së edhe të rajonit që procesi i zgjerimit të përparojë tani. Kjo, në praktikë do të thotë hapje e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si çështje urgjente”, tha ai, ndërkohë që theksoi se në mënyrë paralele Masqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë rrugën e reformave në fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Maqedonia e Veriut, e cila u themelua menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore si republikë në kuadër të Federatës Jugosllave, ka kaluar mjaft sfida nga pavarësia në vitin 1991, ndërsa synon integrimin në Bashkimin Evropian, ku që prej vitit 2005 ka marrë statusin e “vendit kandidat për anëtarësim” në bllok.