Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Jill Biden bëri të dielën një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainën perëndimore, ku u takua me Zonjën e Parë të vendit, Olena Zelenska.
Vizita dhe takimi u bënë në Ditën e Nënës.
Zonja Biden u bë figura e fundit amerikane e profilit të lartë që hyn në Ukrainë gjatë konfliktit 10-javor me Rusinë. Udhëtimi i saj u bë në fshehtësi dhe u njoftua pasi ajo ishte larguar nga Ukraina.
Zonja e Parë amerikane e takoi para një shkolle zonjën Zelenska, duke e përqafuar atë dhe duke i dhuruar një buqetë me lule.
"Doja të vija në ditën e nënës," i tha zonja Biden zonjës së parë të Ukrainës, duke iu referuar ditës që është një festë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.
"Mendova se ishte e rëndësishme t'i përcillja popullit ukrainas mesazhin se kjo luftë brutale duhet të ndalet dhe se populli amerikan qëndron me popullin e Ukrainës", tha zonja Biden.
Zonja e Parë shkoi në qytetin e Uzhhorodit, rreth 10 minuta me makinë nga një fshat sllovak në kufi me Ukrainën.
Ajo qendroi rreth dy orë në Ukrainë.
Të dyja zonjat e para shkuan në një klasë të vogël, të ulura në një tavolinë përballë njëra-tjetrës, përpara se të vazhdonin takimin privatisht.
Zonja Zelenska dhe fëmijët e saj kanë qenë të strehuara në fshehtësi për sigurinë e tyre.
Ajo e falënderoi zonjën Biden për "aktin e saj të guximshëm".
"Ne e kuptojmë që nuk është e lehtë për zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara të vijë këtu gjatë një lufte ku ka çdo ditë operacione ushtarake, ku dëgjohen çdo ditë sirenat ajrore - edhe sot," tha ajo.
Shkolla ku ato u takuan është kthyer në strehim të përkohshëm për të zhvendosurit ukrainas nga zona të tjera të vendit. Zonjat e Para takuan disa fëmijë të strehuar në shkollë dhe përgatitën bashkë me ta dhurata simbolike për Ditën e Nënës.