SHBA, mosha mesatare e grave që lindin fëmijë arrin në 30 vjeç

Allyson Jacobs qëndron për të pozuar përpara qendrës së saj të punës në Nju Jork (4 maj 2022)

Për Allyson Jacobs, jeta e saj në të njëzetat dhe të tridhjetat ishte e përqëndruar tek karriera e saj në shëndetësi, ndërsa shijonte pjesëmarrjen në skenën sociale të qytetit të Nju Jorkut. Pasi mbushi 40 vjeç, së bashku me bashkëshortin filluan përpjekjet për të bërë fëmijë. U bënë me djalë kur ajo ishte 42 vjeç.

Gjatë tre dekadave të fundit, kjo është bërë diçka gjithnjë e më e zakonshme në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që ka rënë niveli i lindjeve për gratë në të njëzetat dhe u rrit për gratë në të tridhjetat dhe të dyzetat, sipas të dhënave të Byrosë të Censusit të Shteteve të Bashkuara. Kjo tendencë e ka rritur moshën mesatare të grave që lindin fëmijë, nga 27 në 30 vjeç, niveli më i lartë historik.

Si një prind më i vjetër në moshë që feston Ditën e Nënës (më 8 maj), zonja Jacobs ndjen se ofron më shumë mbështetje për djalin e saj 9-vjeçar, se sa do të kishte mundur të ofronte kur ishte në të njëzetat.

"Ka më shumë mençuri, patjetër më shumë durim", thotë zonja Jacobs, tashmë 52 vjeç, e cila punon si administratore e shërbimeve në një spital. "Për shkak se jemi më të vjetër, kishim të ardhurat për të punësuar një dado. Ndoshta nuk do ta kishim patur këtë mundësi nëse do të kishim qenë më të rinj".

Megjithëse niveli i fertilitetit ra në përgjithësi nga viti 1990 deri në vitin 2019, rënia perceptohet si më e qëndrueshme krahasuar me periudhat e tjera. Por, ka ndryshuar mosha kur pjesa më e madhe e grave lindin fëmijë. Nivelet e fertilitetit ranë me pothuajse 43% për gratë e grupmoshës 20-24 vjeç dhe me mbi 22% për gratë e grupmoshës 25-29 vjeç. Në të njëjtën kohë, pati rritje me mbi 67% të fertilitetit për gratë e moshës 35-39 vjeçare, si dhe me mbi 132% për gratë në moshën 40-44 vjeç, sipas analizës së Byrosë së Censusit të bazuar tek të dhënat e Qendrës Kombëtare për Statistikat e Shëndetit.

Vendimi i grave me arsim universitar që të investojnë tek arsimimi dhe karriera e tyre, në mënyrë që të jenë në gjendje më të mirë financiare kur të bëjnë fëmijë, si dhe dëshira e grave të klasës punëtore për të pritur për një moment më të sigurtë financiarisht, kanë kontribuar për këtë zhvendosje drejt mëmësisë më të madhe në moshë, thotë Philip Cohen, sociolog në Universitetin e Merilendit.

Në të kaluarën, prindërit janë mbështetur shpesh tek fëmijët e tyre për të ardhurat - duke i nxjerrë ata p.sh. për të punuar në arë, kur ekonomia ishte më shumë e bazuar tek bujqësia. Por, gjatë shekullit të fundit në Shtetet e Bashkuara, prindërit kanë investuar më shumë tek e ardhmja e fëmijëve të tyre, duke u ofruar më shumë mbështetje ndërsa ndjekin shkollën dhe hyjnë në fazën fillestare të pjekurisë, thotë zoti Cohen.

"Lindja e fëmijëve në një moshë më të vonë i vendosi gratë në një pozicion më të mirë", thotë zoti Cohen. "Kanë më shumë burime, më shumë arsim. Ato çfarë nevojiten për të qenë prindër të mirë mund të sigurohen më lehtë kur jemi në një moshë më të madhe".

Lani Trezzi, 48 vjeç, dhe bashkëshorti i saj lindën fëmijën e tyre të parë, djalin, kur ajo ishte 38 vjeç, dhe vajzën tre vjet më pas. Megjithëse kishte qenë bashkë me burrin që në moshën 23-vjeçare, ajo nuk ndjeu ndonjë urgjencë për të patur fëmijë. Kjo ndryshoi kur ajo po i afrohej të dyzetave dhe kishte arritur në një pozicion të mirë në karrierën e saj si drejtuese në një kompani shitjesh.

"Ishte thjesht mosha kur ndjeja vetëbesim për të gjitha rrethanat e jetës time", thotë zonja Trezzi, e cila jeton në Nju Xhersi, pranë qytetit të Nju Jorkut. "Nuk kisha atëherë vetëbesimin që kam tani".

Gjatë tre dekadave të fundit, rritjet më të mëdha në moshën mesatare në të cilën gratë amerikane lindin fëmijë kanë qenë në radhët e grave të lindura jashtë vendit, duke u zhvendosur nga mosha 27 në 32 vjeç, dhe ndër gratë afrikano-amerikane, nga mosha 24 në 28, sipas Byrosë së Censusit.

Për gratë e lindura jashtë vendit, zoti Cohen tha se nuk ishte mjaft i sigurt pse mosha mesatare u rrit me kalimin e kohës, por ka të ngjarë të ishte një "histori e ndërlikuar" që kishte të bënte me rrethanat e tyre ose arsyet e ardhjes në Shtetet e Bashkuara.

Për gratë afrikano-amerikane, ndjekja e arsimit dhe karrierës luajti një rol.

"Gratë afrikano-amerikane kanë ndjekur arsimin e lartë me ritme më të larta", tha Raegan McDonald-Mosley, mjek obstetër dhe gjinekolog, i cili është drejtues i organizatës Power to Decide, dhe që punon për të reduktuar shtatëzanitë në radhët e adoleshenteve dhe lindjet e padëshiruara. “Gratë afrikano-amerikane po angazhohen vërtet në arsimimin e tyre dhe kjo është një nxitje për të shtyrë lindjen e fëmijëve”.

Meqenëse shtatzënitë e padëshiruara janë më të larta në radhët e adoleshenteve dhe grave në të 20-tat, dhe më shumë nga shtatzënitë e tyre përfundojnë me abort në krahasim me gratë më të vjetra, rrëzimi i vendimit të marrë gjatë çështjes Roe kundër Wade që siguroi të drejtën për abort, ka të ngjarë ta ndryshojë moshën mesatare të fillimit të lindjes së fëmijëve në një moshë më të re. Kjo do t'i kundërvihej kështu tendencës së tre dekadave e fundit, “ndonëse përmasa është e panjohur”, tha Laura Lindberg, shkencëtare në Institutin Guttmacher, një grup studimor që mbështet të drejtat e abortit.

“Pesha do të bjerë në mënyrë disproporcionale mbi gratë me ngjyrë, gratë afrikano-amerikane, njerëzit pa dokumenta, njerëzit që jetojnë në zonat rurale, njerëzit në jug – ku ka shumë gra afrikano-amerikane – dhe në pjesën qendrore të Amerikës”, tha zoti McDonald-Mosley, i cili gjithashtu ka shërbyer më parë si kryemjek në një organizatë të planifikimit familjar.

Mëmësia po vjen në moshë më të vonë edhe në vendet e zhvilluara në Evropë dhe Azi. Në Shtetet e Bashkuara, mund të kontribuojë në ngadalësimin e rritjes së popullsisë së vendit, pasi aftësia për të pasur fëmijë tenton të ulet me moshën, tha Kate Choi, një demografe e familjes në Universitetin Perëndimor në Londër, Ontario.

Në zonat amerikane ku popullsia nuk po e zëvendëson veten me lindjet e reja dhe ku emigracioni është i ulët, rënia e popullsisë mund të krijojë mungesa të fuqisë punëtore, kosto më të larta të punës dhe një forcë punonjëse që mbështet pensionistët, tha ajo.

"Ndryshime të tilla do të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi programet që synojnë mbështetjen e të moshuarve si Sigurimet Shoqërore, Medicaid dhe Medicare", tha zonja Choi. "Punëtorët mund të duhet të paguajnë taksa më të larta për të mbështetur numrin në rritje të popullsisë në pension".

Megjithëse të dhënat në raportin e Byrosë së Censusit ndalen deri në vitin 2019, pandemia e dy viteve të fundit e ka shtyrë edhe më tej mëmësinë për shumë gra, me normat e lindjeve në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020 në rënie me 4%, rënia më e madhe njëvjeçare në gati 50 vjet. Zonja Choi tha se duket se ka pasur një rikthim në gjysmën e dytë të vitit 2021 në nivele të ngjashme me vitin 2019, por nevojiten më shumë të dhëna për të përcaktuar nëse ky është një kthim tek një rënie "normale".

Gjatë pandemisë, disa gra në fund të viteve të tyre riprodhuese mund të kenë hequr dorë nga bërja nënë ose nga të paturit më shumë fëmijë për shkak të pasigurive ekonomike dhe rreziqeve më të mëdha shëndetësore për gratë shtatzëna që marrin virusin, tha ajo.

"Këto gra mund ta kenë humbur mundësinë e tyre për të pasur fëmijë", tha zonja Choi. "Disa prindër me një fëmijë të vogël mund të kenë vendosur të heqin dorë nga lindja e dytë... sepse ishin të mbingarkuar me kërkesat shtesë për kujdesin ndaj fëmijëve që u shfaqën gjatë pandemisë, siç është nevoja për të shkolluar fëmijët e tyre në shtëpi".